1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rojet iraniane këmbejnë zjarr me marinën amerikane

8 Janar 2008

Varka të Rojeve Iraniane të Revolucionit provokuan në rrugën e Hormusit për pak një shkëmbim zjarri me marinën e SHBA.

https://p.dw.com/p/CmRi
Harta e Gjirit Persik dhe vendi ku ka ndodhur incidenti
Harta e Gjirit Persik dhe vendi ku ka ndodhur incidentiFotografi: AP GraphicsBank/DW

Varkat u qenë afruar në këtë pjesë me rëndësi strategjike të detitt anijeve amerikane dhe i rrethuan ato, bëri të ditur një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes në Uashington. Ato kërcënuan me radio se do t'i hidhnin në erë anijet amerikane, bëri të ditur komandanti i Flotës së Pestë të SHBA, zëvendësadmirali Kevin Cosgriff në një konferencë shtypi: "Varkat avancuan në mënyrë agresive në drejtim të anijeve amerikane. Varkave iu bë thirrje në radio, u lëshuan sirenat e anijeve, gjëra që synonin t'u tregonin se manovrat e tyre po i shqetësonin oficerët e komandës. Në një moment, anijet morën një thirrje kërcënuese me radio, se anijet amerikane do të shpërthenin".

Një kapiten i SHBA për pak sa dha urdhrin për të hapur zjarr. Por anijet u larguan pa ndodhur kjo.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean McCormak e paralajmëroi me këtë rast Iranin: "Ne i kërkojmë Iranin të heqë dorë nga çdo akt provokimi që mund të çojë në incidente të rrezikshme në të ardhmen. Departamenti i Mbrojtjes mund t'ju japë detaje të tjera lidhur me këtë incident të vecantë. Kryesorja është që anija jonë, pas incidentit, u largua e sigurtë," tha Mc Cormak.

Në një kohë që ushtria amerikane foli për një nga provokimet më të rënda në det prej shumë vitesh, ministria e jashtme iraniane tha se bëhej fjalë për një incident rutinë. Rruga e Hormusit është një nga rrugët më të rëndësishme detare për eksportin e naftës në Evropën Perëndimore dhe në SHBA.