1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Robotët mësojnë si fëmijët

23 Gusht 2012

Robotët po pushtojnë jetën e përditshme. Që ata të jenë efektivë deri tani duhet të programohen me shumë kosto. Tani informaticienët po kërkojnë për rrugë se si t'u mësojnë robotëve të mësuarit në mënyrë të pavarur.

https://p.dw.com/p/15vW8
ICub në veprim
ICub në veprimFotografi: Presse Universität Bielefeld/CITEC

Lars Schillingmann po rendit gota loje. Informaticieni është ulur pranë një tryeze në një dhomë të mbrojtur nga drita të laboratorit të kërkimeve robotike "Research Institute for Cognition and Robotics" të Universitetit të Bielefeldit (CoR-Lab). Ai është i rrethuar nga monitorë, në të cilët lexohen gjuhë programimi dhe vezullojnë grafikë. Ai vë gota njërën mbi tjetrën.

"Pa shih njëherë!", thotë ai ngadalë duke ngritur lart njëra pas tjetrës gotat. "Gota e kuqe hyn në të verdhën dhe e verdha në blunë." "E kuqe!, e verdhë!, blu!" thotë më pas zëri i kompjuterit. Me ç'duket objekti përballë Lars Schillingmannit e ka kuptuar. Ai është iCob, një robot kërkimor. I madh është sa një fëmijë kopshti, ka një kokë plastike të bardhë, sy të mëdhenj dhe faqe bullafiqe, ka këmbë, krahë dhe duar (të konstruktuara enkas për të studiuar kapjen e ngacmimeve të jashtme).

Roboti humanoid në mendime
Roboti humanoid 'në mendime'Fotografi: picture-alliance/dpa

Roboti kërkimor iCub: I programuar për të mësuar

iCub sheh nëpërmjet kamerave atë që i tregohet. Nëpërmjet mikrofonave ai mund të dëgjojë se ç'thuhet. Roboti është i programuar në mënyrë të tillë që të reagojë ndaj ndryshimeve, për shembull ndaj lëvizjes dhe ndaj një ndryshimi të nivelit të zërit. Schillingmann tregon tek njëri prej grafikëve: "Këtu shihet se cilat të dhëna analizon iCub-i. Ai regjistron kur ndryshon diçka brenda kornizës që dallon ai. Për shembull ai njeh ç'është me shumë ngjyra dhe se ky shkon kjo gjë. Dhe ai bën kujdes kur unë nis të flas dhe kur pushoj së foluri."

Schillingmann thotë se këtu vlen parimi: sa më shumë ndryshime në situatën e fillimit, aq më interesante është për robotin dhe aq më shpejt ka për t'i ndërthurur ai sinjalet e regjistruara. Në këtë mënyrë ai mëson hap pas hapi se si t'i vendosë në kontekst me kuptim informacionet pamore dhe zanore të transmetuara prej njerëzve.

Energjia për programim vështirëson përdorimin e robotëve

Informaticienë të CoR-Lab-it bashkëpunojnë prej 2007-s me inxhinierë dhe neuro-shkencëtarë, psikologë dhe linguistë në ndërtimin e makinave, të cilat i përshtaten të sjellurit të njeriut dhe janë në gjendje të mësojnë prej njerëzve. Kjo sepse sa më të gjithëpranishëm të jenë robotët në vendet e punës ose në shtëpi, aq më e domosdoshme është që ata të ndërveprojnë me njerëzit e të jenë fleksibël. Vërtet aktualisht po testohen një numër modelesh të ndryshme robotësh shtëpiakë ose robotësh shërbimi, por në të shumtën e rasteve ata nuk mund të përdoren në mënyrë efektive, thekson Sven Behnke, profesor për informatikë praktike në Universitetin e Bonit.

ICub dhe gota
ICub dhe gotaFotografi: Presse Universität Bielefeld / CITEC

Ai vetë po zhvillon bashkë me studentët Coseron (dhe i njeh kufijtë e tij). "Për shembull, në Kampionatin Botëror për Robotë vitin e kaluar Cosero gatoi omëletë", tregon Behnke. Roboti kapi një shishe me lëng vezësh, ndezi pllakën e gatimit, mbi të cilën gjendej një tigan, dhe e derdhi masën e vezës në tigan. "Mirëpo kjo është një rrjedhë veprimesh e programuar në mënyrë të ngurtë, e cila kërkon shumë gjëra: për shembull, që atje të ketë një pllakë gatimi të njëjtë me këtë, e jo ndonjë tjetër." Prandaj kjo gjë mund të duket bukur dhe të tregojë se ç'është e mundur, por është janë larg mjaft larg përdorimit, thotë Behnke.

Të dëgjojnë dhe të imitojnë: Robotët mësojnë si fëmijët

Nga ana tjetër në CoR-Lab në Bielefeld do të hulumtohen bazat për zhvillimin e aftësive kognitive të robotëve vetë. "Njerëzit, të cilët do të kenë të bëjnë në të ardhmen me robotët, nuk do të jenë të gjithë ekspertë të robotikës", thotë Lars . Robotët mund të programohen në mënyrë të tillë, që të dallojnë atë që njerëzit e dinë natyrshëm: të flasin dhe të demonstrojnë, thotë Schillingmann. Prandaj parimisht iCub-i mëson si fëmijët prej të rriturve, shton ai: nëpërmjet të dëgjuarit dhe të imituarit, të dështuarit dhe të provuarit.

Autor: Andreas Sten-Ziemons/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Auron Dodi