311207 kenia unruhen
1 Janar 2008Pas fitores së diskutueshme të presidentit Mwai Kibaki në shumë pjesë të Kenias pati protesta të dhunshme. Numri i pakonfirmuar i të vrarëve rritej pothuajse nga ora në orë. Vetëm gjatë natës duke u gdhirë e hëna policët thonë se kanë çuar në morgun e Kisumu-t 50 kufoma. Siç u tha, pothuajse të gjithë ishin vrarë me armë zjarri.
Qoftë në qytetin-port Mombasa, në kryeqytetin Nairobi apo në qytete të tjera në perëndim: Prej gjithandej njoftuan për trazira. Shumë sulme drejtoheshin kundër popullsisë kikuyu, së cilës i përket edhe presidenti Kibaki. Por ndërprerja e plotë e komunikimit prej qeverisë e bënte të vështirë sigurimin e një tabloje të hollësishme të gjendjes.
Mbajtësi i postit Mwai Kibaki u shpall të dielën fitues dhe bëri menjëherë betimin për një mandat të dytë. Sfiduesi Raila Odinga e refuzoi rezultatin e zgjedhjeve si të manipuluar. Edhe vëzhguesit e Bashkimit Evropian folën për një rezultat jo të besueshëm.
Odinga e akuzon Kibakin për manupulim masiv të zgjedhjeve
Odinga u bëri thirrje përkrahësve të vet, të ruanin qetësinë. Për trazirat në vend ai bëri përgjegjëse qeverinë: 'Në shumë raste është kështu: Nuk janë zgjedhësit e mashtruar, por është qeveria, që dërgon forcat e saj të sigurisë nëpër vend, për të provokuar dhe për të vrarë arbitrarisht njerëz. Prandaj bëjmë thirrje për protesta paqësore masive në gjithë vendin.'
Një miting i planifikuar për dje pasdite, gjatë të cilit Odinga do të shpallej kundër-president, u anulua. Në vend të kësaj Odinga bëri thirrje për një ceremoni funebër për të enjten, ku ai pret të vijnë një milionë pjesëmarrës.
Që rezultati zgjedhor i shpallur të dielën në kushte kaotike në favor të Kibakit është manipuluar, për këtë nuk ka më dyshime. Edhe kreu i vëzhguesve zgjedhorë të Bashkimit Evropian konti Lambsdorff raportoi për dokumenta të manipuluara.