1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Rivlin presidenti i ri i Izraelit

Reuven Rivlin refuzon një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme në mënyrë rigoroze. Tani ai është presidenti i ri i Izraelit. Kjo mund ta shtojë kritikën ndërkombëtare ndaj kryeministrit Netanjahu.

default

Reuven Rivlin

Në përpjekjen e dytë Reuven Rivlin ia arriti. 74-vjeçari u zgjodh të martën (10.06.2014) nga parlamenti Izraelit si president i ardhshëm i vendit. Shtatë vjet më parë ai humbi në Knesset para laureatit të çmimit Nobel për Paqe, Shimon Peres. Kësaj here Rivlin, që është anëtar i partisë konservatore Likud, mori 63 vota të deputetëve në balotazh. Rivali i tij kryesor Meir Schitrit i partisë liberale Hatenua mori 53 vota. Në Izrael vetëm parlamenti zgjedh kreun e shtetit, që ka kryesisht detyra reprezentative.

Për kryeministrin Benjamin Netanjahu zgjedhja e një kolegu nga partia e tij është një thikë me dy presa, thotë publicisti dhe gazetari izraelit Gil Yaron. "Nuk ka patur kandidat, që të favorizojë në mënyrë të qartë Netanjahun dhe ai më tepër u detyrua që të pranojnë Rivlinin si kandidat kryesor", thotë Yaron. Megjithatë fitorja e Rivlinit në balotazh kundër Schitrit ështe një sinjal i rëndësishëm i brendshëm politik. Kështu u bë e qartë se koalicioni qëndron.

Rivlin disa herë në grindje me Netanjahun

Eksperti i Lindjes së Mesme pranë European Council on Foreign Relations (ECFR), Mattia Toaldo, thekson se Netanjahu dhe Rivlin kanë patur disa polemika publike. Një pikë e mosmarrëveshjes ishte se Netanjahu donte t'i jepte presidentit më shumë pushtet në Izrael. Një ndryshim të tillë të pushtetit në kurriz të Dhomës së Përfaqësuesve e pati hedhur poshtë ish-kryetari i parlamentit Rivlin. Studiuesi i ECFR nuk pret që politikani vetaran, tani që ai ka postin më të lartë në shtet, mund të ndryshojë qëndrim.

Israel Rivlin und Netanjahu 2011

Rivlin- Netanjahu

Në politikën e jashtme presidenti i ri mund të jetë një barrë e rëndë për qeverinë e Izraelit. Rivlin, sipas Toaldo, është ndoshta kreu i parë i shtetit, që është kundër një zgjidhjeje me dy shtete. Kjo zgjidhje parashikon një shtet të pavarur palestinez në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor. Paraardhësi Perez, sipas gazetarit Yaron, ka shërbyer si kundërpeshë ndaj mendimit të përhapur, se Netanjahu nuk e dëshiron seriozisht paqen. "Për sa kohë që vepronte Peres, bota ishte e bindur se Izraeli po shkon drejt një zgjidhjeje me dy shtete", thotë Yaron. Tani në vend të tij vjen mik i shpallur i kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor dhe mbështetës i një Izraeli të Madh. Kjo e vuri Netanjahun nën presion, pasi kryeministri nuk mund ta përdorë më Peresin si një gjethe fiku diplomatik.

Toaldo nuk beson se imazhi i Izraelit do të keqësohet me hardlinerin si kryetar të ri shteti. Për vite të tëra kritikat në botë kundër qeverisë në Jeruzalem janë shtuar. "Ne mundëm ta shihnim në vizitën e fundit të kancelares gjermane Angela Merkel, se shumë liderë evropianë nuk janë më të gatshëm për ta marrë Izraelin në mbrojtje kundër kritikës ndërkombëtare", shpjegon Toaldo. Arsye për ta sulmuar ofron Rivlin sa të duash me idenë e tij për një Izrael të Madh deri në Jordan.

Israel Präsidentenwahl Kandidat Reuven Rivlin

Reuven Rivlin

Në mesin e kundërshtarëve të koncesioneve territoriale për palestinezët, Rivlin sipas Toaldos konsiderohet si një lloj politikani liberal. "Ai do të ishte i hapur për t'u lejuar palestinezëve disa të drejta në kuadrin e një zgjidhjeje me vetëm një shtet", thotë eksperti i Lindjes së Mesme.

Zgjedhja u parapri nga një betejë e madhe për pushtet

Një detyrë e rëndësishme për vegjetarianin dhe tifozin e ekipit të futbollit të Jeruzalemit do të jetë përmirësimi i imazhit të demtuar të postit të presidentit. Në fund të presidencës shtatëvjeçare të Shimon Peresit, i cili konsiderohej me karakter të fortë, kandidatët për të zëvendësuar atë u përfshinë në një betejë të ashpër politike dhe ligjore. Kandidati më premtues Benjamin Ben-Eliezer i Partisë së Punës u desh të jepte dorëheqjen pak para votimit, për shkak se hetuesit donin të sqaronin, ndër të tjera, financimin e banesës së tij. Një tjetër konkurrent Schitrit pranoi se ai me të vërtetë posedon katër apartamente, por që të gjitha janë blerë në mënyrë korrekte.

Rivlin si pronar i një apartamenti të thjeshtë me katër dhoma shpëtoi pa akuza. "Për detyrën e presidentit zgjedhja e Rivlinit është një nga zgjidhjet më të mira, sepse Rivlin njihet si një politikan i pastër", thotë Yaron. Megjithë botëkuptimin e tij të majtë dhe pro kolonëve ai ka marrëdhënie të mira me deputetët arabë, apo të majtë të Knessetit. Kreu i ri i shtetit, i cili do të marrë detyrën në fund të korrikut, është një njeri i nderuar. "Kjo do t'i bëjë mirë postit të presidentit", thotë Yaron.