1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Risitë e panairit të lojërave kompjuterike

18 Gusht 2011

Në Këln u hap të mërkurën (17. 08.2011) panairi më i madh në botë i lojërave kompjuterike "Gamescom 2011". Pjesëmarrja është më e lartë se kurrë më parë, po cilat janë pritjet?

https://p.dw.com/p/12IVh
Gamescom 2011
Gamescom 2011Fotografi: Gamescom 2011

Muzikën me zë të lartë në hapje të këtij panairi nuk mund të mos e dëgjosh, ndonëse është shumë e qartë që ndonjë risi sensacionale këtë vit nuk do të ketë. Lojërat kompjuterike po bëhen gjithnjë e më të shpejta dhe më masive, prezantimi është më i mirë dhe me më shumë ngjyra, por koncepte të reja digjitale nuk mund të gjesh.

Programuesit e softuerëve thonë se ndërkohë çdo i treti gjerman, më i vjetër se 10 vjeç, luan lojëra të ndryshme me kompjuter apo telefon celular. Gati në çdo të dytën familje gjermane fëmijët luajnë lojëra elektronike. Gati 10.000 firma merren me zhvillimin e lojërave të ndryshme. Ato kanë një qarkullim parash prej rreth dy miliardë euro në vit.

Pjesëmarrësit për herë të parë

Gamescom 2011
Shtohet numri i prezantuesveFotografi: picture alliance/dpa

Panairi "Gamescom 2011" ka mbledhur kaq shumë prezantues nga pjesëmarrës si kurrë më parë. Gerald Böse, udhëheqës i panairit të Këlnit shpjegon: "Për herë të parë në këtë panair marrin pjesë prezantues nga Kina, Franca, Koreja, Kanadaja, Holanda, vendet skandinave, Tajvani dhe Meksika."

Pritjet nga panairi janë të ndryshme. Shoqata Federale për Ekonomi Informatike, Telekomunikacion dhe Media, shkurt Bitkom, parashikon humbje. Anëtar i kryesisë së Bitkom-it, Ralf Haupter thotë se megjithatë ka dhe lëvizje pozitive.

"Ndërkohë rënia po zvoglohet, kështu që në vitin 2012 presim madje një bilanc pozitiv", thotë ai.

Bilanci do të jetë pozitiv

Gamescom 2011
S'ka risi tepër të mëdhaFotografi: picture alliance/dpa

Bilanc pozitiv presin edhe disa organizata të tjera që merren me lojëra kompjuterike. Disa prej tyre kanë shitur këtë vit 8 % më shumë lojëra kompjuterike. Në tremujorin e parë të vitit 2011 është tejkaluar për një për qind shitja e përgjithshme krahasuar me një vit më parë. Njerëzit tani nuk blejnë më lojëra të reja vetëm në dyqane, por edhe përmes internetit, shpjegon një prej organizatorëve, Olaf Wolters: "Ajo që të bie në sy menjëherë është se për 45 % është shtuar shitja përmes internetit. Kjo do të thotë se përmes internetit po shtohen modelet e ndryshme të tregtisë."

Përmes internetit vitin e kaluar është realizuar 18 % e shitjeve, ndërkohë që këtë vit pritet që shifra të jetë shumë më e lartë. Në "Gamescom 2011" këtë vit marrin pjesë 550 prezantues nga mbarë bota, që është 10 % më shumë se vitin e kaluar. Panairi do të zgjasë deri me 21 gusht. Ndërsa organizatorët presin rreth 250 000 vizitorë.

Autor: Dirk Kaufmann/Bahri Cani

Redaktoi: Mimoza Kelmendi