Rinia ruse ka probleme shumë serioze me papunësinë
28 Shkurt 2013Rreth 30 % e atyre që kanë kryer fakultet në Rusi, të moshës nën 25 vjeç, nuk kanë ndonjë vend të sigurt pune. Rreth 65 deri 70 % e atyre që kryejnë fakultet gjejnë punë pas mesatarisht pesë-gjashtë muajve, por kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë se vendi i tyre i punës është i sigurt. Madje 25 % prej tyre punojnë pa kurfarë konktrate pune. Shumë shpesh puna që e kanë nuk u mjafton për të mbijetuar dhe detyrohen të gjejnë ndonjë punë shtesë. Gati 50 % prej atyre që punësohen në sipërmarrje të shtetit detyrohet të kërkojnë edhe ndonjë punë tjetër. Kështu thuhet në një studim të Shkollës së lartë për ekonomi në Moskë.
Papunësia latente
Shumë persona që kanë kryer shkolla të larta në Rusi cënohen nga e ashtuquajtura papunësi latente. Inxhinierët punojnë si shoferë automjetesh, ndërsa ekspertët e shkencave natyrore si shitës. Shumë shpesh ekspertët bëjnë punë për të cilat kërkohen kualifikime shumë më të ulëta. Kështu është edhe me rastin e Jelena Kuznecova nga Kemerovo. Në vitin 2009 ajo ka përfunduar studimet e pedagogjisë dhe ka nisur punën si edukatore në një kopësht për fëmijë. Por pas nëntë muajsh e ka humbur këtë vend pune. Në vend të saj është punësuar një kushërirë e drejtores së kopshtit. Pedagogja e diplomuar tani punon si kamariere. Kualifikimet e saja tani nuk i duhen aspak. Ndërkohë që kthimi në një vend të përhershëm pune, në nivelin e kualifikimeve të saj, po vështirësohet nga dita në ditë.
Përparësitë dhe mangësitë e bashkëpuntorëve të lirë
Ekspertët e kanë më të lehtë të gjejnë ndonjë punë sipas kualifikimeve të tyre si bashkpuntorë të jashtëm. Ata mund të mbledhin përvojë dhe në këtë mënyrë nuk i harrojnë gjërat që i kanë mësuar. Çdo i pesti që ka mbaruar fakultet në Rusi punon sot si bashkëpuntor i lirë, në veçanti gazetarët, programuesit e kompjuterëve, përkthyesit etj. Megjithatë më së shumti bashkëpuntorë të lirë ka në sektorin e kompjuterëve: rreth 35 % prej tyre, njofton Zyra ruse e statistikave.
Mirëpo rusët e rinj nuk kanë kurfarë sigurie për vendin e punës. Përkundrazi, sepse tërë kohën janë të cënuar nga papunësia. Ata shpesh punojnë vetëm mbi bazat e një marrëveshje gojore. Ata nuk kanë kurfarë sigurie dhe garancione sociale. Portali i internetit "Freelance.ru" nofton se gati 18 % e marrëveshjeve gojore nuk paguhen kurrë.
Mbështetja e shtetit
Ekspertët rusë janë të bindur se qeveria e këtij vendi duhet të jetë shumë më aktive në luftimin e papunësisë në Rusi. Anna Oçkina nga Instituti për Globalizim dhe Lëvizje Sociale thotë se për të siguruar vende pune për të rinjtë në Rusi duhet plotësuar të paktën tri kushte: rritja ekonomike, stabiliteti ekonomik dhe mbështetja e shtetit. Në Rusi nuk ekziston asnjë prej këtyre kushteve, pohon ajo. "Në vend se të rinjtë të ndihmohen, shteti po e dëmton dhe shkatërron sistemin e arsimit", thotë ajo.
Edhe Tatjana Çetvernina nga Shkolla e Lartë në Moskë mendon se Qeveria ruse duhet t'u sigurojë më shumë mundësi njerëzve që kryejnë fakultetet, në mënyrë që të mund të arrijnë përvoja dhe të ushtrojnë profesionet e tyre. Të rinjtë duhet të kenë mundësinë e arritjes së përvojave edhe gjatë kohës së studimeve. Kjo rritë shansat që më vonë të gjejnë një vend pune, mendon ajo.