1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Rinia evropiane sot - Brezi i humbur

Kriza e euros e ka vënë Evropën para sfidash shumë të mëdha. Veçanërisht të rinjtë luftojnë me papunësinë dhe mungesën e perspektivave. Me një program ndihme BE kërkon t'i vijë në ndihmë "brezit të humbur".

Elena Silvestra kërkon punë. Ajo është 25 vjeç, jeton në Madrid dhe ka një master në drejtësi dhe tregti ndërkombëtare. Para pak vitesh kjo ishte garanci për gjetjen e një vendi pune të sigurt dhe të mirëpaguar. Por ato kohë kanë marrë fund, thotë Elena: "Vendet e punës që ofrohen tani janë të paguara keq. Unë do të merrja 300 euro në muaj për një vend pune me kohë të plotë." Meqenëse me kaq pak para askush nuk mund të jetojë, Elena është kthyer tek prindërit, të cilët paguajnë ushqimet, qeranë dhe autobusin.

Kriza ekonomike i godet me gjithë forcën e saj të rinjtë si Elena. Që prej fillimit të krizës, papunësia e të rinjve në vendet e BE-së është rritur nga 15 në 23 për qind. Sipas shifrave aktuale të Eurostatit, 5,6 milionë të rinj nga 15 deri 24 vjeç janë pa punë. Veçanërisht dramatike është situata në vendet në krizë të eurozonës Spanjë dhe Greqi. Atje më shumë se gjysma e të rinjve janë të papunë, pa marrë parasysh nxënësit dhe studentët.

Të rinjtë të dobët në tregun e punës

Constantin Gurdgiev është profesor i financës në Trinity College në Dublin. Ai e di përse recesioni prek në radhë të parë të rinjtë: "Punëmarrësit e rinj janë më pak të organizuar në sindikata dhe shpesh kanë vetëm kontrata me afat. Për firmat është më e thjeshtë të pushojnë të rinjtë në kohë krize. Për punëmarrësit më të vjetër u duhet të paguajnë shumë të larta si zhdëmtim."

Më shumë të rinj të papunë do të thotë edhe më pak të ardhura nga taksat për shtetin dhe më pak konsum. Të rinjtë që jetojnë në minimumin e ekzistencës nuk krijojnë familje, nuk blejnë makinë apo shtëpi. Sistemet tona sociale, në të cilat të rinjtë duhet të kontribuojnë për të moshuarit, mund të pësojnë dëme.

Samiti i BE-së - Merkel me van Rompuy dhe Ashton. 28.06.2013

Samiti i BE-së - Merkel me van Rompuy dhe Ashton. 28.06.2013

Sprovë për shoqërinë

Ky zhvillim mund të kërcënojë në fund edhe paqen sociale, thotë Gurdgiev. Brezi i ri duke u ndier i lënë në baltë nga konservatorët dhe socialdemokratët, bëhet terren i përshtatshëm për lëvizjet dhe partitë ekstremiste. Trazirat e të rinjve në skaj të shoqërisë në Paris, Londër dhe së fundi në Stokholm nuk të lënë të presësh asgjë të mirë. Problemi: edhe nëse ekonomia rimëkëmbet, ky brez do të mbetet i humbur. Ata që janë të papunë për një kohë të gjatë duhet të konkurrojnë në tregun e punës me të sapo diplomuarit. Pa përvojë pune dhe motivacion, kjo është e vështirë thotë Constantin Gurdgiev.

Që prej fillimit të vitit kjo temë është zhvendosur gjithnjë e më lart në axhendën politike. Në fund të qershorit kryeministrat e vendeve të BE-së miratuan në Bruksel një program kundër papunësisë në Evropë. Me ndërmjetësim më të mirë dhe kualifikime të mëtejshme ata duan të arrijnë që çdo i ri të gjejë brenda katër muajsh një vend pune, praktike apo kualifikimi të mëtejshëm. Gjashtë miliardë euro do të vërë për këtë program në dispozicion BE. Të hënën (1.7.'13) u mblodhën në Berlin për këtë qëllim ministrat e punës të të gjitha shteteve të BE-së.

Kualifikime dhe emigrim

Gjashtë miliardë euro nuk janë shumë krahasuar me shumat dukshëm më të mëdha që kanë shkuar për shpëtimin e bankave, që prej fillimit të krizës financiare. "Natyrisht që na duhen më shumë para për arsimin", thotë eksperti i financave Constantin Gurdgiev. Veç kësaj duhet të orientohemi drejt sistemeve duale të arsimit, që ofrojnë përvojë praktike, të tilla si në Gjermani dhe Suedi."

Por problemi i vërtetë është një tjetër: "Ne nuk na mungojnë të rinjtë e arsimuar. Na duhet më shumë shpirt sipërmarrës." Me një ekonomi më dinamike do të fitojnë jetesën edhe më shumë të rinj, thotë Gurdgiev. Për këtë arsye ai është për një liberalizim të mëtejshëm. Sipas tij nëse askush nuk gëzon mbrojtje për pushimin nga puna, recesioni i prek njëlloj të gjithë. Por politikisht një gjë e tillë nuk ka gjasa të jetë as e dëshëruar dhe as e realizueshme.

Për këtë arsye Constantin Gurdgiev ka vetëm një këshillë për të rinjtë e papunë: "Dekadat e ardhshme do të jenë shumë të vështira. Kush ka arsimim të mirë duhet të emigrojë jashtë BE-së." Nëse situata nuk ndryshon këtë ka ndër mend të bëjë edhe Elena. Meqenëse në Britani të Madhe dhe Gjermani tashmë ka shumë spanjollë, destinacioni i saj do të jetë Amerika Latine.