1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rezoluta për genocidin ndaj armenëve para miratimit

Në 2 qershor, Bundestagu Gjerman do të miratojë një rezolutë, që do t'i dënojë si gjenocid krimet e Perandorisë Osmane ndaj armenëve, 100 vjet më parë. Qeveria e Erdoganit është shumë e zemëruar për këtë.

Kur Kancelarja gjermane Angela Merkel do të takojë të hënën sërish Presidentin e shtetit turk, Rexhep Tayipp Erdogan, nuk përjashtohet që ajo të ndeshet me zemërimin e tij për planin e koalicionit të gjerë në Bundestag: për herë të parë, partitë unioniste, socialdemokratët e SPD-së dhe të Gjelbrit do t'i quajnë në një deklaratë zyrtare "gjenocid" krimet e 1915-ës të Perandorisë Osmane ndaj popullatës armene.

Deri tani për këtë temë ka pasur vetëm debate në kuadër të përkujtimit historik vitin e kaluar. Presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert dhe Presidenti Federal, Joachim Gauck e përdorën konceptin "gjenocid" dhe korrën protesta nga Ankaraja.

Data e deklaratës është caktuar

Ministri i Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier vazhdon të jetë skeptik, nëse pozicionimi i Bundestagut me koncepte si "gjenocid" do të jetë i dobishëm për trajtimin dhe pajtimin midis dy popujve. Për të mos i minuar marrëdhëniet me Turqinë dhe negociatat për Marrëveshjen me BE për refugjatët, një rezolutë e planifikuar nga të Gjelbrit për në shkurt 2016 u shty për më vonë. Atëherë, shefi i Grupit Parlamentar të CDU-së, Volker Kauder e siguroi deputetin shumë të angazhuar Cem Özdemir, duke i dhënë dorën, se në gjysmën e parë të vitit 2016 do të vihej patjetër në rrugën e miratimit rezoluta e përbashkët. Kauderi e mbajti fjalën.

Raffi Kantian, kryetar i Shoqatës Gjermano-Armeniane në Hanover i tha DW "Unë bazohem në planin e njohur për miratimin e rezolutës, të cilin e publikon Bundestagu."

Rezistencë kundër shantazhit

Dhe me të vërtetë, në faqen e Bundestagut Gjerman është planifikuar për 2 qershorin, në pikën e rendit të ditës numër pesë një orë diskutim - për kërkesën e partive unioniste, të SPD-së dhe të Gjelbërve me titullin zyrtar: "Kujtim dhe përkujtim i gjenocidit ndaj armenëve dhe minoriteteve të tjera të krishtera 101 vjet më parë." Për këtë rezolutë megjithatë nuk do të ketë votim me emër. Kjo do të thotë se nuk do të ketë detyrim që deputetët të jenë të pranishëm në seancë. Do të votohet vetëm duke ngritur dorën.

Shumica e politikanëve të politikës së jashtme dërgojnë sinjale të qarta në mbështetje të rezolutës. Inisiatori i kërkesës, deputeti i Gjelbër Cem Özdemir u shpreh qartë në gazetën "Bild am Sonntag": "Mund të ndodhë që Ankaraja të hapë probleme. Por Bundestagu nuk pranon që ndaj tij të ushtrojë shantazh një despot si zoti Erdogan."

Bashkëpërgjegjësi gjermane

Franz-Josef Jung, zëdhënës për politikën e jashtme të Grupit Parlamentar unionist dhe Bernd Fabritius, që përfaqëson CSU në Komisionin për të Drejtat e Njeriut kujtuan së bashku përgjegjësinë historike të Gjermanisë për gjenocidin.

Pararendësja juridike e Gjermanisë - Perandoria Gjermane - ishte bërë në vitin 1915, me anë të një aleance ushtarake, fuqi mbrojtëse e Perandorisë Osmane. Pala gjermane mori një sërë të dhënash për akte mizore, për spastrime etnike të qeverisë së atëhershme xhonturke. Sipas vlerësimeve shkencore, 1,5 milionë armenë janë deportuar dhe janë vrarë në Perandorinë Osmane. Perandoria Gjermane atëherë nuk ndërhyri dhe u dha azil pas fundit të Luftës së Parë Botërore, edhe personave përgjegjës të qeverisë turke. Prandaj, Partia e Majta dhe Të Gjelbrit, kërkojnë që veç quajtjes "gjenocid" të asaj që ndodhi, Gjermania edhe të kërkojë falje. Kjo kërkesë përmbahet në një nga amendamentet e rezolutës dhe inisiatorët shpresojnë që jetë edhe pjesë e tekstit përfundimtar të rezolutës.