200411 Golfstaaten Libyen
20 Prill 2011Më parë në bisedimet në Kajro ai pati shprehur shqetësimin e Gjermanisë për pengesat në fillimin e ri demokratik në Egjipt dhe pati kërkuar hapa të tjerë drejt demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Qëndrimi i shteteve arabe të Gjirit Persik kundrejt revoltës arabe është nga dashamirës deri solidar, por brenda vendit ato reagojnë me represion ndaj kritikës për sistemin.
Në fakt ministri i Jashtëm gjerman nuk merr pjesë në takimet e përbashkëta vjetore të ministrave të Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit Persik. Këtë herë jo. Arsyeja: Shtetet e Gjirit Persik luajnë një rol të rëndësishëm në tri vatra të nxehta të revoltës arabe: në Libi, Bahrejn dhe Jemen. Me gjasa ky fakt do ta bëjë interesant shkëmbimin e mendimeve për Guido Westerwellen sot në Abu Dhabi.
Ndikimi i shteteve të Gjirit Persik në Libi dhe Bahrejn
Avionë luftarakë reaktivë të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të Katarit ndihmojnë në Libi në mbikqyrjen e zonës së ndalim-fluturimit. Katari shkon edhe më tej: Ai u livron me sa duket pajisje ushtarake rebelëve, tregton naftën e tyre dhe ishte vendi i parë arab, që njohu qeverinë e rebelëve. Shtetet e Gjirit Persik treguan në Libi se janë të afta për të vepruar, thotë Christian Koch i „Gulf Research Center“, një institut kërkimor në Dubai: „Atje janë udhëheqëse dy shtete të Gjirit dhe njëri veçanërisht. Ky është Katari, i cili ka marrë përsipër aksionet për gjithë Lindjen e Afërme dhe një rol drejtues. Për sa i takon NATO-s në Libi, ai i ka dhënë në fakt gjithë aksionit legjitimitetin e palës arabe.“
Në Libi shtetet e Gjirit mbrojnë popullsinë nga Gaddafi, në Bahrejn nga ana tjetër ata mbrojnë mbretin prej popullsisë (me ndihmën e më shumë se 1.500 ushtarëve nga Arabia Saudite dhe Emiratet.) Lëvizja për demokraci u thye, Bahrejni i ngjan një shteti policor. Por politologu Koch shikon në reagimin e sundimtarëve në Bahrejn më shumë sesa vetëm përpjekjen për ruajtje pushteti: „Bahrejni u kthye në problem, kur më shumë forca ekstremiste ndër shiitët ngritën pretendime, të cilat familja mbretërore i pa si të papranueshme. Sikur atje të kishte pasur paqëndrueshmëri të mëtejshme, shembje të sistemit politik, do t'i ishte hapur dera Iranit, që të vazhdonte të përzihej në rajon në punët e brendshme rajonale.“
Në Jemen shtetet e Gjirit nuk ishin të suksesshme
Përpjekja për ndërmjetësim me synimin për ta shtyrë presidentin e Jemenit drejt dorëheqjes nuk solli gjë deri tani (ndoshta sepse sauditët vazhdojnë dorën mbrojtëse mbi të). Me gjasa mes vendeve të Gjirit ka dallime në mendime në këtë çështje.
Brenda Arabisë shtetet e Gjirit janë prej kohësh pesha të rënda diplomatike
Nga njëra anë sepse monarkët gëzojnë brenda vendit ende legjitimitet të madh, me përjashtim të shtëpisë sundimtare në Bahrejn. Nga ana tjetër sepse ato janë të vendosura të realizojnë interesat e tyre, edhe kundër aleatit më të ngushtë, SHBA-së. Synimi më i rëndësishëm për to është stabiliteti dhe për këtë ato preferojnë të shpenzojnë miliarda shtesë, për subvencione për popullin e tyre.
Autor: Carsten Kühntopp
Redaktoi. Angjelina Verbica