Republikanët duan të çojnë në gjyq presidentin Obama
31 Korrik 2014Dhoma e Kongresit miratoi një rezolutë, në të cilën ngrihet akuzë se Obama tejkalon kompetencat e tij zyrtare me kryerjen e reformës shëndetësore, të luftuar aq shumë nga republikanët. 225 deputetët votuan pro, 201 kundër. Të gjithë deputetë demokratë votuan kundër draftit.
Obama i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe Dhoma e Përfaqësuesve ka përgjegjësinë për të "mbrojtur Kushtetutën", tha kryetari republikan i Dhomës, John Boehner, para votimit.
Në bllokadën, që i bëjnë njëra tjetrës Dhoma e Përfaqësuesve e dominuar nga republikanët dhe Senati i dominuar nga demokratët, republikanët e akuzojnë prej kohësh Obamën se qeveris në stilin e një monarku përmes dekretesh duke e anashkaluar kongresin.
Se si do të funksionojë padia në praktikë, kësaj nuk mund t'i përgjigjen me saktësi as ekspertët ligjorë. Aksioni është i pakuptimtë, tha deputetja demokrate, Alcee Hastings. "Është çmenduri ajo, që bëni të gjithë ju."
Obama i papërkulur
Demokratët dyshojnë se me këtë hap republikanët mund të synojnë largimin nga detyra të presidentit. Krerët republikanë e hodhën poshtë më këmbëngulje akuzën, se ndjekin një synim të tillë.
Obamën duket se nuk e impresionon vringëllima e shpatës së opozitës: "Në vend që të ngrini padi kundër meje, se unë bëj punën time, dëshiroj që kongresi të kryejë punën e tij, dhe ta përmirësojë një çikë jetën e amerikanëve, të cilët i kanë zgjedhur", tha ai.