1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reporterët pa kufi dënon sulmin ndaj shtëpisë së Lalës

1 Shtator 2018

Organizata ndërkombëtare "Reporterët pa kufi" ka reaguar ndaj rastit Lala.

https://p.dw.com/p/347jn
Reporter ohne Grenzen deutsches Logo deutsch

"Ne e dënojmë sulmin me kalashnikov ndaj shtëpisë së Klodiana Lalas. Nuk ka mundësi që një gazetare investiguese që raporton në Shqipëri për krimin e organizuar të detyrohet të jetojë në frikë të vazhdueshme nga dhuna e armëve. Organet e kanë për detyrë ta mbrojnë atë”, ka thënë për DW të premten në Berlin drejteusi i organizatës „Reporterët pa kufi", Christian Mihr, nëpërmjet një deklarate me shkrim.

Organizata „Reporterët pa kufi" vëren më tej se Shqipëria prej vitit 1991 nuk ka arritur të krijojë një panoramë mediatike pluraliste e të pavarur, megjithë përpjekjet intensive të shoqërisë civile dhe mbështetjes së madhe ndërkombëtare.

Mediat audiovizive janë në duart e disa biznsemenëve të rëndësishëm, një grup familjesh ndajnë mes tyre 90 përqind të xhiros së biznesit mediatik. Edhe media print është tejet e përqendruar në pak duar.

Këto kushte bëjnë që autocensura të jetë tepër e përhapur ndër gazetarët e Shqipërisë. 80 përqind e gazetarëve nuk kanë besim në të ardhmen e tyre profesionale. Atmosfera bëhet edhe më e vështirë nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama, i cili i përshkruan gazetarët me nofka si „kazan", „helm" ose „armiq të popullit".

Në indeksin e shoqatës „Reporterë pa Kufi" Shqipëria zë vendin e 75-të nga 180.