1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reporterët pa kufij raport për Kosovën

23 Korrik 2010

Politikanët dhe përfaqësuesit e autoriteteve shtetërore që përpiqen t'u mbyllin gazetarëve që janë kritikë ndaj qeverisë gojën, ose t'i detyrojnë për vetëcensurë.

https://p.dw.com/p/OQrS

Në një raport mbi situatën e mediave në Kosovë organizata „Reporterë pa kufij" nxjerr një bilanc jo optimist. Gjatë viteve të fundit në Kosovë nuk janë bërë përpjekje për krijimin e kushteve për krijimin e një gazetarie të lirë dhe të pavarur. Shumica e mediave ndërkohë nuk janë të pavarura as në aspektin redaksional dhe as në atë financiar.

Gazetarët kritikë kërcënohen dhe vihen nën presion

Janë kryesisht politikanët dhe përfaqësuesit e autoriteteve shtetërore që përpiqen t’u mbyllin gojën, ose t’i detyrojnë për vetëcensurë punonjësit e medias që janë kritikë ndaj qeverisë. Një metodë që përdoret rëndom janë fushatat frikësuese nën moton: "Kush guxon të kritikojë hapur veprimet e qeverisë apo korrupsionin, damkoset publikisht si ‚antipatriot", „tradhëtar i kombit", „spiun serb" apo thjeshtë si një njeri që „është kundër Kosovës", thuhet në raportin prej 14 faqesh të "Reporterëve pa kufij".

Punonjësit e medias në shënjestër të dhunës së militantëve nacionalistë

Akuzat dëmtojnë jo vetëm kredibilitetin e gazetarëve në opinion, por ato bëhen shkas që punonjësit e medias të jenë në shënjestër të dhunës së militantëve nacionalistë si p.sh. nga radhët e veteranëve të UÇK-së, thuhet në raportin e "Reporterëve pa kufij".

Edhe tregu i njoftimeve dhe larmërimeve në gazeta, që ende nuk është liberalizuar, e pengon zhvillimin drejt një peizazhi të shumëanshëm dhe të pavarur mediatik në këtë vend të Evropës Juglindore. Qeveria, autoritetet shtetërore dhe partitë politike me buxhetet e tyre për reklamën mbështesin qëllimisht mediat që qëndrojnë pranë tyre dhe përmes tyre fitojnë influencë ndaj përmbajtjeve redaksionale. Pikërisht për mediat ndërrajonale të ardhurat nga buxheti i reklamës janë burimi kryesor i financimit. Një sërë mediash kësisoj instrumentalizohen nga politika.

Vetëm një numër i vogël mediash përpiqet t’u rezistojë ndikimeve të jashtme dhe të ruajë autonominë. Vlejnë të përmenden këtu gazetat "Koha Ditore" dhe "Zëri".

Përfaqësuesit e "Kohës Ditore" vënë në dukje, se atyre u krijohen vështirësi dhe detyrohen t’u nënshtrohen rregullisht kontrolleve të fiskut. Këto media nuk presin as mbështetje nga drejtësia.

Veçanërisht i prekur nga kontrolli qeveritar është televizioni, i cili për 70% të kosovarëve është burimi më i rëndësishëm i lajmit. Kanali më i rëndësishëm televiziv është televizioni publik „RTK". Emisionet politike me debate të përfaqësuesve të partive në pushtet dominojnë programin. Ekzekutivi ushtron influencë të dukshme në emërimet për postet drejtuese në RTK.

Kanalet private, që duan të krijojnë më shumë hapësira informative, shpesh herë dështojnë kryesisht prej problemeve financiare, ose ato përpiqen më kot si p.sh. "Rrokum TV" që të marrin licencë transmetimi.

„Reporterë pa kufij" e mbyll rapotin me një katalog dymbëdhjetëpikësh me kërkesa dhe rekomandime, në mënyrë që në një të ardhme të afërt të ketë përmirësime të situatës së lirisë së shtypit në Kosovë. „Reporterë pa kufij" kërkon që në misionin e BE-së për shtetin e së drejtës EULEX krahas mbështetjes për forcimin e policisë, të drejtësisë dhe administratës t’i kushtohet vëmendje më me forcë edhe gjendjes problematike të medias për të forcuar gazetarët e pavarur.

Autor: Vilma Filaj-Ballvora
Redaktor: Pandeli Pani