1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Replika dhe reagime mbi akuzat e prokurorisë kundër ministrit të jashtëm, Lulzim Basha

Ani Ruci30 Nëntor 2008

Ministri i Jashtëm Basha e cilëson procesin hetimor kundë tij - proces të montuar politik. Prokuroria e Përgjithshme reagon. Sipas saj akuzat mbështeten mbi faktet që kanë dalë nga hetimi.

https://p.dw.com/p/G6N6
Lulzim Basha në intervistë me Deutsche Welle-nFotografi: DW

Koflikti mes Ministrit të Jashtëm dhe Prokurorisë së Përgjithshme është acaruar në ekstrem këtë fundjavë. Lulzim Basha, i quan politike akuzat e Prokurorisë ndaj tij për shpërdorim detyrë, me fondet e autostradës Durrës- Kukës, në kohën kur ishtë Ministër i Transporteve. Prokuroria e mbështet akuzën e saj ndaj tij në rezultatin e hetimeve 21 mujore, që çuan në vendimin për ta thirrur Bashen si të pandehur, vendim që ai e refuzoi, duke paditur Prokuroren e Republikës Ina Rama, për shkelje proceduriale.

"Është e qartë që akuzat janë të formuluara në zyrën e Edi Ramës, procesi ndaj meje është një proces i qartë politik. Prokuroria duhet të gjejë vendin e dhe rolin e vet, atje ku ja përcakton ligji. Çdo veprim në kundërshtim me ligjin do te jetë subjekt i hapave ligjorë që do të ndërmarrim nga ana jonë" paralajmëroi ai në një konferencë shtypi në mjediset e Ministrisë së Jashtme.

Ministri i Jashtëm Basha ka paditur edhe grupin e ekspertëve të Prokurorisë së Përgjithshme, ata të sektorit të luftës kundër krimit ekonomiko- financiar që kanë dhënë shifra fallco. Në raportin e përgatitur prej tyre dëmi ndaj shtetit nga shpërdorimi i detyrës prej ministrit Basha është llogaritur në 232 milion euro.

Së fundi Lulzim Basha deklaroi edhe se Prokurorja e Republikes, Ina Rama, ka shkelur ligjin sepse "Gjykata e faktit në Tiranë ka urdhëruar Prokurorinë të mbyllë hetimet dhe në bazë të ligjit, organi i akuzës është i detyruar ta bëjë këtë."

Reagimet e Prokurorisë së Përgjithshme

Reagimi i organit të akuzës ndaj këtyre zhvilimeve të fundit ka ardhur i menjëhershëm. Në një deklaratë zyrtare organi i akuzës bën të ditur se citoj, "akuzat e saj Prokuroria e Përgjithshme i mbështet mbi faktet që kanë dalë nga hetimi, dispozitat ligjore në fuqi dhe zbatimin rigoroz të të gjitha aspekteve të ligjit për procedimin penal"

Organi Qendror i akuzës hedh poshtë edhe pretendimin për shkelje proceduriale. Ne deklaraten e saj zyrtare ajo thekson se "Lulzim Basha nuk përfiton nga vendimi i Gjykatës së Tiranës për të ndërprerë hetimet pasi kjo Gjykatë nuk shfuqizon kërkesën për zgjatjen e afatit të hetimve, të kërkuar nga Prokuroria dhe të pa kontestuar brenda afatit ligjor nga Ministri Basha. Për më tepër vendimet e Gjykates së Tiranës nuk kanë efekt në rastin e Bashës, pasi ai është deputet dhe kompetencën për afatet e një procedimi penal e ka vetëm Gjykata e Lartë."

Reagimi i PS dhe replika e Ministrit Basha

"Lulzim Basha të mos e ndotë më ambientin publik me kundërakuza banale por të ngrihet nga karrigia e ministrit dhe të ulët në karrigen e të pandehurit." tha zëdhënësja e kësaj partie, Mimi Kodheli.

"Do të vazhdoj të ushtroj detyrën time pa u ndikuar aspak nga ky proces i montuar politik dhe do të vazhdoj ta bëj këtë për sa kohë të kem besimin e maxhorancës dhe të kryeministrit." replikoi me PS, Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha.

Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme pohojnë se dosja e Ministrit të Jashtëm Basha pritet të mbërrijë në Gjykatën e Tiranës, në fund të javës së ardhshme, më 6 dhjetor.