1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Refugjatët e Kalifatit

Anne Allmeling8 Dhjetor 2015

Çdo ditë ikin njerëz nga rajonet në Siri dhe në Irak, të cilat "Shteti Islamik" i ka shpallur si territore nën sundimin e tij. Për ekstremistët ky është problem.

https://p.dw.com/p/1HIqL
luftetare te Xhihadit ne Irak
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Fotografia e 3-vjeçarit Aylan, që u mbyt në Mesdhe rrugës për në Greqi u publikua në të gjithë botën dhe u shpërnda në rrjetet sociale. Edhe "Dabiq", gazeta propagandiste e "Shtetit Islamik" (IS) në gjuhën angleze e publikoi fotografinë në botimin e saj në internet - megjithatë jo për të tërhequr vëmendjen në gjendjen e dëshpëruar të refugjatëve, të cilët i ikin terrorit si familja e Aylanit.

Ekstremistët e përdorën fotografinë për synimet e tyre: si paralajmërim për të mos ikur nga Kalifati. Familja e Aylanit është me origjinë nga qyteti kurd Kobane, të cilin ekstremistët e rrethuan dhe e goditën në vitin 2014. Prindërit e Aylanit ikën së bashku me dy djemtë në Turqi dhe që aty u nisën me një varkë trafikantësh për në Evropë.

Paralajmërim për rreziqe

Varka u përmbys. Nga familja e Alanit mbeti gjallë vetëm babai. "Rreziku, po të largohesh nga zona nën sundimin islamik", me këtë titull e shoqëruan autorët e "Dabiq" fotografinë e fëmijës së mbytur refugjat. Në artikullin më tej, autori përpiqet që me ndihmën e citateve të autoriteteve myslimane t'i bindë lexuesit që myslimanët e vërtetë nuk lejohet t'i kthejnë kurrizin IS. Dhe ai përshkruan atë që i pret ata, që megjithatë e bëjnë këtë hap: alkohol, droga. Mohimi i fesë islame. Para së gjithash, kështu argumenton autori, refugjatët nga Siria vënë në lojë jetën e fëmijëve të tyre.

Me këtë paralajmërim, me këtë artikull në "Dabiq", IS pranon se njerëzit po i largohen. Një fenomen që nuk parashikohet në "Shtetin Islamik". Në fund të fundit, mbështetësit e tij e shohin IS si pikë tërheqëse për myslimanët e gjithë botës - jo si vend, nga i cili largohesh sa më shpejt, me çfarëdo çmimi.

Ikje në "drejtim të gabuar"

"Interesantja është që kjo lëvizje ikjeje ndodh vetëm në një drejtim", thotë Jürgen Todenhöfer. Autori bestseller dhe ish-deputeti në Bundestag i CDU-së, kaloi vitin e kaluar dhjetë ditë në "Shtetin Islamik" dhe shkroi për këtë një libër. "Në Siri askush nuk ikën nga zonat e regjimit të Assadit në zonat e Kalifatit. Largimi ndodh vetëm në drejtim të kundërt: prej Kalifatit në rajonet nën sundimin e regjimit."

Ky për ekstremistët është drejtimi i gabuar. Meqenëse Kalifati u ringjall, thuhet në artikullin prej dy faqesh të "Dabiq", myslimanët duhet të largohen vetëm drejt IS, jo nga Kalifati në drejtim të Alavitëve, Shiitëve, PKK ose në Evropë apo Amerikë. "Largimi vullnetar nga zona e sundimit islamik është një mëkat i rrezikshëm, i madh", shkruan autori, emri i të cilit nuk përmendet.

Miliona refugjatë

Sa njerëz janë larguar nga rajonet në sundimin e IS nuk është e qartë. Sipas të dhënave të OKB-së, vetëm brenda Sirisë në arrati ndodhen tetë milionë vetë. Katër milionë sirianë të tjerë kanë gjetur strehim në vendet fqinje.

Todenhöfer thotë se ky largim paraqet një "problem legjitimimi" për IS. Në artikull, autori nuk lë të kuptohet se pse e braktisin vullnetarisht myslimanët zonën e sundimit të "Shtetit Islamik". Ndoshta sepse terrori i ekstremistëve është bërë i padurueshëm për ta. Por këta refugjatë, IS me sa duket nuk i injoron dot as në gazetën e vet në gjuhën angleze. Duket se janë tepër shumë.