1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210711 Kairo Kabinett

22 Korrik 2011

Në Egjipt të enjten bënë betimin me disa ditë vonesë 14 anëtarë të rinj të qeverisë. Ky hap u bë me presionin e lëvizjes demokratike, e cila demonstron në mënyrë të vazhdueshme që prej rreth dy javësh në Sheshin Tahrir.

https://p.dw.com/p/121to
Kryeministri egjiptian Essam Scharaf në sheshin Tahrir në Kajro.
Kryeministri egjiptian Essam Scharaf në sheshin Tahrir në Kajro.Fotografi: dapd

Kur pasditen e së enjtes ministrat e rinj bënë më në fund betimin, ceremonia u zhvillua me katër ditë vonesë. Tri herë qe shtyrë data e ceremonisë. Disa herë u ndërruan kandidatë të shpallur tashmë. Pas perdeve u zhvilluan negociata të ethshme. Kryeministri Essam Sharraf pësoi ndërkohë madje një kolaps dhe u desh të dërgohej në klinikë. Konflikti, për të cilin bëhej fjalë ishte në thelb një provë force. Ushtria ka pushtetin në vend dhe dëshiron një qeveri tranzitore, e cila të përfaqësojë interesat e saj. Kurse opozita dëshiron ministra, që ta shtynë më në fund përpara reformën demokratike. Dhe midis karrigeve ndodhet kryeministri Sharraf. 14 poste të reja ministrash u zunë me persona të rinj, por atmosfera nuk është optimiste. Politologu Hassan Nafaa nga Universiteti i Kairos.

"Kabineti nuk i plotëson shpresat e njerëzve në Sheshin Tahrir. Problemi kryesor është që pushteti i vërtetë ndodhet tek Këshilli Ushtarak, jo te kabineti, ky i ka duart e lidhura."

Demonstrime kundër Këshillit Ushtarak në sheshin Tahrir në Kajro.
Demonstrime kundër Këshillit Ushtarak në sheshin Tahrir në Kajro.Fotografi: dapd

Në post mendohet se do të mbetet ministri i Brendshëm Mansour al-Issawi dhe ministri i Drejtësisë, Mohamed al-Guindy. Të dy akuzohen se po e zvarritin reformën e drejtësisë dhe të policisë. Opozita pati kërkuar në radhë të parë shkarkimin e tyre.

"Kabineti i ri nuk ka autoritet të mjaftueshëm. Pozicione kyçe janë ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë, të cilat do t'i mundësonin qeverisë të niste një ndryshim të vërtetë."

Ministri gjerman Westerwelle me kryeministrin egjiptian Sharaf në Kajro.
Ministri gjerman Westerwelle me kryeministrin egjiptian Sharaf në Kajro.Fotografi: picture alliance/dpa

Në 14 ministrat e rinj është edhe Hazem al-Beblawi, një ekonomist liberal dhe kritik i regjimit të Mubarakut. Ai do të drejtojë ministrinë e Ekonomisë. Ministër i ri i Jashtëm do të jetë Mohamed Amr. Ushtarakët patën bërë presion, që të mbetej në post paraardhësi Al-Orabi, njëri nga të besuarit e Mubarakut. Ministria e Antikiteteve, e krijuar vetëm në fund të janarit nga Mubaraku dhe e drejtuar nga arkeologu i diskutueshëm, Zahi Hawass eleminohet dhe kthehet sërish në zyrë.

Ushtria shpalli ndërkohë hapat e planit për zhvillimin e zgjedhjeve në vjeshtë. Më 18 shtator, Komisioni Elektoral do të nisë punën. Nga tetori deri në nëntor do të bëhen zgjedhje në tri etapa. Vëzhgues ndërkombëtarë nuk do të lejohen, kjo në kundërshtim me dëshirën e opozitës.

Autor: Jürgen Stryjak / A. Dodi

Redaktoi: E. Xhani