1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformat kushtetuese në Kosovë

22 Mars 2012

Komisioni për ndryshimet kushtetuese pika që ka të bëjë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të Kosovës e ka përfunduar punën. Komisioni do të bëjë edhe ndryshimet që i japin fund mbikqyrjes ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/14PAk
Festimet për kushtetutën e re
Festimet për kushtetutën e reFotografi: AP

Komisioni për ndryshimet kushtetuese e ka përfunduar punën në pikën që ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës, por ka marrë edhe një mandat shtesë për të bërë ndryshimet kushtetuese, të cilat i japin fund edhe mbikqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Kryetari i këtij komisioni Arsim Bajrami, i tha DW-së, se ai është i bindur se ndryshimet kushtetuese në Kosovë do të ndodhin brenda këtij viti.

Pushtete të ndara për presidentin, parlamentin dhe qeverisë

“E dini që në mandatin e parë ne kemi punuar në mënyrën e zgjedhjes së presidentit, pra kalimi nga një president parlamentar në një president popullor, që e zgjedh drejtpërdrejt populli. Këto ditë e kemi përfunduar punën edhe sa i përket kompetencave që duhet të ketë presidenti dhe kemi ndarë balancin e pushtetit ndërmjet presidentit, qeverisë dhe parlamentit dhe çdo gjë në pikëpamje kushtetuese është e përfunduar”, thotë Arsim Bajrami.

Arsim Bajrami, thotë se tashmë për këto ndryshime kushtetuese ka edhe një koncensus politik.

Zgjedhja e drejtpërdrejt e presidentit nga populli do të ndikojë në stabilitetin politik

“Ne vazhdimisht e kemi pasur edhe tryezën e partive politike brenda komisionit, ku aty kanë qenë liderët e partive kryesore politike dhe për të gjitha çështjet ka pasur një koncensus të plotë”, thotë Arsim Bajrami.
Sipas kryetarit të komisionit për ndryshimet kushtetuese Arsim Bajrami, zgjedhja e drejpërdrejtë e presidentit nga populli do të ndikojë në stabilitetin politik dhe kushtetues të Kosovës.
Parlamenti i Kosovës, ka kohë që ka mandatuar edhe një komision për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet. Edhe ky komision është në fazën finale të punës dhe sipas udhëheqësit të komisionit Haki Demolli, në muajin mars Kosova mund ta ketë ligjin e ri për zgjedhjet.

Kosova jo më një zonë zgjedhore

“Mund të them se sa i takon këtij procesi, mbi 90 për qind thuajse jemi në përfundim e sipër. I vetmi problem me të cilin është duke u ballafaquar komisioni është puna e sistemit zgjedhor, për të cilin kërkohet një lloj konsensusi mes udhëheqësve politikë. Ka mbetur që grupi, pas aprovimit të disa amendamenteve, të fillojë të punojë në draft-ligjin e ri, të cilin sipas të gjitha gjasave, do ta përfundojmë deri në fund të muajit mars. Pas muajit mars në si komisionin bashkë me grupin punues do të kemi një punëtori disa ditore në të cilën do të diskutohet nen për nen dhe me pas do te përgatisim atë versionin final të draft-ligjit të ri për zgjedhjet”, thotë Haki Demolli.

Puna e dy komisioneve, atij për ndryshimet kushtetuese dhe komisionit për reformën zgjedhore, duhet të miratohet në kuvend me dy të tretat e votave. Parlamenti i Kosovës vitin e shkuar në muajin prill, miratoi një rezolutë në bazë të së cilës u themeluan këto dy komisione. Qëllimi kryesor i këtyre reformave është që presidenti në të ardhmen të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, ndërsa për zgjedhjet parlamentare, Kosova të mos jetë me vetëm një zonë zgjedhore, por të ketë shumë zona zgjedhore. Sidoqoftë, tash për tash është akoma e paqartë nëse këtë vit në Kosovë do të ketë zgjedhje për president që ishte përcaktuar se duhej të mbaheshin. Kështu thuhej në marrëveshjen e 7 prillit të vitit të shkuar, marrëveshje kjo që u arrit ndërmjet, kryeministrit Hashim Thaçi, liderit të opozitës Isa Mustafa dhe kryetarit të AKR-së, Behxhet Pacolli. Ky i fundit u bë pjesë e kësaj marrëveshje pasiqë Gjykata Kushtetuese konstatoi se gjatë procesit të zgjedhjes së zotit Pacolli për president, kishte patur parregullsi. Analistët politikë thonë se me gjasë Kosova do të ketë zgjedhje të trefishta vetëm në vjeshtën e vitit 2013, kur do të mbahen në të njëjtën kohë zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe ato lokale.

Haki Demolli
Haki DemolliFotografi: DW

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama