1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Referendumi: Zvicra bëhet më e fshehtë

Më shumë kompetenca për shërbimin e fshehtë, më pak pensione dhe ekologji. Rezultati i tri referendumeve në Zvicër është i qartë. Më shumë se pesë milionë qytetarë qenë thirrur të votonin.

Zviceranët votuan me shumicë dërrmuese votash që të zgjerohen kompetencat e shërbimit të fshehtë kombëtar përsa i përket përgjimit. Sipas rezultateve paraprake, 66 përqind e qytetarëve që morën pjesë në votim votuan pro zgjerimit të kompetencave. Referendumi u mbajt për një ligj, të cilin parlamenti zviceran tashmë e ka miratuar, i cili i lejon Shërbimit Informativ të Federatës (NDB)për të siguruar mbrojtjen nga atentatet terroriste që të përgjojë telefonata, të vendosë përgjues në banesa dhe të depërtojë në kompjutera. Për këtë duhen marrë miratime nga instanca qeveritare si dhe nga Gjykata më e lartë Administrative Zvicerane. Mbështetësit thanë se shërbimi i fshehtë duhet të ketë më shumë mundësi që të njohë që planifikimet për atentatet terroriste dhe që t'i ndalojë ato.

Shtet i përgjimeve?

Kundërshtarë të ligjit patën paralajmëruar se kjo hap rrugën për një shtet "përgjues". Kritika pas votimit erdhën edhe nga Amnesty International. Ligji mundëson "masa joproporcionale" përgjimi dhe ai përfaqëson një kërcënim për sferën private dhe lirinë e mendimit, thuhet në një deklaratë të AI.

Në referendum u refuzua një iniciativë popullore e sindikatave, që kërkonte rritjen me dhjetë përqind të pensioneve. Kundër kësaj kërkese, në bazë të rezultateve paraprake votuan 60 përqind e qytetarëve. 63 përqind e qytetarëve thanë jo për një iniciativë të Partisë së Gjelbër, që kërkonte që ekonomia e Zvicrës të theksonte aspektet ekologjike.

Shoqatat e punëdhënësve si dhe partitë e djathta dhe të qendrës e hodhën poshtë si të pafinancueshme kërkesën për rritjen e pensioneve. Sindikatat qenë shprehur të bindura se vetëm me rritjen e pensioneve pensionistët mund të gëzojnë "jetën e zakonshme" të garantuar nga kushtetuta. Por miratimi i propozimit, sipas kundërshtarëve do të minonte një reformë të pensioneve që sapo ka nisur.