1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Referendumi" në lindje të Ukrainës i dyshimtë

Roman Goncharenko /exh11 Maj 2014

Separatistët prorusë në krahinat në lindje të Ukrainës Doneck dhe Luhansk po mbajnë një "referendum" për "pavarësinë shtetërore". Për shumë arsye këto votime janë të dyshimta.

https://p.dw.com/p/1Bxgm
Fotografi: Reuters

Thirrja e presidentit rus Vladimir Putin nuk solli asgjë. Separatistët prorusë në zonat në lindje të Ukrainës, Doneck dhe Luhansk po e mbajnë të ashtuquajturin referendum për një ndarje të mundshme të Ukrainës. Pyetja është: "A e mbështesni pavarësinë shtetërore të Republikave Popullore Doneck/Luhansk?"

Fjala "pavarësi" mungon. Kjo lë hapësirë për interpretime nëse forcat proruse kërkojnë një shkëputje të drejtpërdrejtë nga Ukraina apo thjesht më shumë autonomi. Votimi sipas planit do të fillojë në orën 7:00 dhe të përfundojë në orën 21:00 sipas orës së Evropës Qendrore. Sipas të dhënave të separatistëve vetëm në krahinën Doneck do të marrin pjesë më shumë se 2 milionë vetë në "referendum".

Qeveria ukrainase në Kiev, por edhe shtetet perëndimore nuk e njohin një referendum të tillë. Deutsche Welle rendit shkaqet më të rëndësishme për këtë:

Organe pushteti ilegjitime

Separatistët prorusë shpallin "referendumin" e tyre në 11.5.2014
Separatistët prorusë shpallin "referendumin" e tyre në 11.5.2014Fotografi: Reuters

"Referendumi" është planifikuar dhe mbahet nga organe ilegjitime pushteti. Të vetëquajturat "republika popullore" në Doneck dhe Luhansk u shpallën në prill 2014 nga aktivistë deri në atë moment të panjohur dhe të armatosur rëndë. Më parë ata kishin pushtuar ndërtesa të administratës si këshilla qytetesh apo stacione policie. Përfaqësuesit e këtyre grupeve nuk janë të legjitimuar në mënyrë demokratike në zgjedhje.

Shkelje e kushtetutës së Ukrainës

Legjislacioni i Ukrainës nuk parasheh asnjë lloj referendumi rajonal. I mundur është vetëm një "referendum" mbarë ukrainas, në të cilin të kenë të drejtë të votojnë të gjithë qytetarët me të drejtë vote në vendin me 45 milionë banorë. Një referendum për ndryshimin e territorit shtetëror të Ukrainës mund të vendoset vetëm nga Parlamenti në Kiev.

Nuk ka lista zyrtare votuesish

Të vetëquajturat "republika popullore" në Doneck dhe Luhansk nuk kanë qasje tek listat e zgjedhësve. Shërbimi i fshehtë ukrainas SBU ka bllokuar qasjen elektronike tek këto lista në fillim të prillit. Separatistët pretendojnë megjithatë se disponojnë lista zgjedhore nga viti 2012. Në mars Kievi kishte bllokuar edhe qasjen tek listat zgjedhore në gadishullin ukrainas Krime. Por kjo nuk i pengoi aktivistët prorusë atje, të mbanin referendumin e tyre për shkëputje nga Ukraina.

Nuk ka vëzhgues të pavarur

Për mbikqyrjen e "referendumit" nuk do të shkojë asnjë vëzhgues i pavarur. As Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe as Këshilli i Evropës nuk dërgojnë përfaqësues. Edhe Rusia nuk do dërgojë asnjë mision zyrtar vëzhguesish.

Nuk marrin pjesë gjithë qytetarët me të drejtë vote

Me makina fotokopjimi separatistët prodhojnë të ashtuquajturat fletëvotimi
Me makina fotokopjimi separatistët prodhojnë të ashtuquajturat fletëvotimi.Fotografi: Getty Images

Aktivistët prorusë nuk kontrollojnë gjithë territorin e rajoneve Doneck dhe Luhansk. Ndikimi i tyre kufizohet në një duzinë qytetesh. Por edhe në këto qytete fuqia e separatistëve është e kufizuar. Në shumë qytete ushtria dhe forcat e policisë ukrainase po kryejnë një "mision anti-terror". Një pjesëmarrje e qytetarëve me të drejtë vote në këto kushte nuk është e garantuar.

Votim nën dhunën e armëve

„Referendumi“ zhvillohet në sfondin e pranisë masive të njerëzve të armatosur. Paraqitja e tyre luftarake mund të ketë efekt frikësues tek popullsia.