1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Referendumi: Kthesa e Greqisë pritet ashpër nga BE

Zhgënjim për referendumin e planifikuar nga kryeministri grek Aleksis Tsipras. Planet nuk gjejnë mbështetje në Bruksel. Reagimet nga eurogrupi lidhur me referendumin grek janë më se të qarta: Greqia braktisi bisedimet.

Pas shpalljes së referendumit për propozimet për reforma të kreditorëve nga ana e kryeministrit grek, Aleksis Tsipras, Europa reagon e zemëruar. Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz e përshëndeti referendumin, por kritikoi ashpër Tsiprasin duke e akuzuar për "ideologji të pastër". "Mendoj se është e drejtë ta pyesësh popullin, por kjo mund të bëhet kur si kryetar qeverie e përmbush përgjegjësinë e drejtimit", ka thënë Schulz.. Ndërsa Ministri finlandez i Financave, Alexander Stubb u shpreh të shtunën në Bruksel se eurogrupi nuk e zgjat programin e ndihmës. Lajmi i ardhur nga Greqia për referendumin është surprizë e pakëndshme., tha ai e ka konsensus brenda eurogrupit që të mos zgjatet programi i ndihmës. "Pra mendoj se tani Plani B do të kthehet në Planin A.", ka thënë Stubb.

Edhe kreu i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem u shpreh po ashtu i zhgënjyer që qeveria greke i ka refuzuar propozimet e fundit të kreditorëve. "Ky është një vendim i trishtueshëm për Greqinë", ka thënë Dijsselbloem, "që e mbyll derën për bisedime të tjera", deklaroi ai para takimit të eurogrupit. "Jam i surprizuar negativisht për vendimin e qeverisë greke." Ndërsa ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble sheh me referendumin heqjen e bazës për programin e ndihmës. "Tryeza e bisedimeve u braktis nga Greqia", tha Schäuble, madje në mënyrë "të njëanshme". Ndërsa ministri belg i Financave, Johan Van Overtveldt e shikon si të çuditshëm planin grek për referendum. "Duket kundërthënëse që një qeveri thotë se 'do pyesim popullin', kur thekson po vetë se e refuzon programin". Holanda nga ana e saj i kritikoi planet greke për referendumin "Afati mbetet afat", ka thënë sekretari holandez për financat e shtetit, Eric Wieb, duke pasur parasysh skadimin e afatit më 30 qershor.

Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter-Steinmeier nuk flet kundër referendumit, por kërkon që kryeministri grek të përqafojë propozimin për kompromis. "Shpresoj që Greqia ta pranojë dorën e ofruar", tha Steinmeier. "Po qe se kjo do të jetë në një formë referendumi, atëherë "le të jetë kështu", ka thënë ministri i Jashtëm gjerman.

EU Finanzministerrat zu Griechenland PK Dijsselbloem

Kreu i eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem

"Referendumi i planifikuar e ka komplikuar gjithçka edhe më shumë", u shpreh një diplomat në Bruksel të shtunën (27.06). "Kjo është një kthesë tjetër e qverisë greke, për t'i trazuar akoma më shumë gjërat. Plani kohor nuk mund të respektohet më tani", citon agjencia e lajmeve, dpa, diplomatin nga Brukseli, i cili thekson se "tani mendoj që duhet flasim edhe për planin B".

Kryeministri grek e paralajmëroi referendumin për 5 korrikun. Por programi aktual i ndihmës për Greqinë merr fund më 30 qershor. Athina duhet t'u paguajë institucioneve, si FMN-së, 1,6 miliardë dollarë. Tsipras bëri të ditur se do të aplikojë "një zgjatje të vogël" të programit të ndihmës. Edhe ministri i Financave, Varoufais kërkon, sipas deklaratave të tij në takimin e eurogrupit zgjatjen e programit të ndihmës për të ndihmuar zhvillimin e referendumit.

Nuk ka më kohë Greqinë

Por sipas diplomatit nga Brukseli pyetja shtrohet nëse ministrat e Financave që priten të takohen të shtunën në Bruksel do të vazhdojnë këtë lojë. Qëllimi i takimit është ujdia me Greqinë për shmangjen e falimentimit shtetëror, duke mbyllur njëkohësisht edhe një paketë reformash e kursimesh. Ky është kushti për livrimin e miliardave të reja të ndihmës, tashmë të bllokuara.

Gjasat janë që eurogrupi të mos e miratojë këtë kurs të Greqisë. Një zëdhënës i eurogrupit i tha agjencisë Reuters, se nga qarqet e eurogrupit nuk pritet një zgjatje e programit të ndihmës. Disa vende në eurozonë janë kundër kësaj, tha një zëdhënës i eurogrupit.

Ndërkohë lajmi për zhvillimin e referendumit ka shkaktuar shok në Greqi. Me këtë hap nuk kishte llogaritur njeri, radhët në bankomatët grekë janë shtuar, shenjat flasin për përkeqësim të rrjedhjes së kapitalit. Sipas studiuesit gjerman të ekonomisë, Clemens Fuest do të ketë rritje dramatike të tërheqjes së parave nga ana e klientëve. "Vetëm përmes kontrollit të lëvizjes së kapitalit nga e hëna, mund t'i garantohet Greqisë deri më 5 korrik mbajtja e një referendumi për programin e shpëtimit".