Referendumi i serbëve është i dëmshëm
14 Shkurt 2012
Në ditën e parë të referendumit serb në veri të Kosovës kanë votuar, sipas të dhënave të përfaqësuesve të tyre, 48 % e rreth 35 mijë serbëve me të drejtë vote. Referendumi ka për qëllim që të mos pranohen institucionet e Kosovës në këtë pjesë të vendit. Qeveria e Kosovës kumtoi se kjo është një përpjekje e serbëve dhe Beogradit për ndarjen e kësaj pjese të vendit. Ndërkohë që autoritetet e Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare e kanë dënuar këtë referendum si të dëmshëm dhe të panevojshëm. Deri tani nuk ka të dhëna për incidente.
Ndërkaq presidenti i Serbisë Boris Tadiq kumtoi se referendumi i serbëve në veri të Kosovës "i dëmton interesat e shtetit serb". Në faqen e tij të internetit ai shkruan se "ka mirëkuptim për dëshirën e popullit serb që të shprehë vullnetin e vet politik", por autoritetet lokale nuk mund të bëjnë më shumë për zgjidhjen e problemeve sesa autoritetet e shtetit të Serbisë. "Ky veprim i krerëve të disa komunave në veri të Kosovës mund të zvoglojë potencialet e Serbisë për veprim dhe nuk është në interesin e serbëve. Referendumi vetëm e pengon Serbinë në përpjekjet e saj për mbrojtjen e interesave legjitime në Kosovë", shkruan Tadiq duke shtuar se "Serbia nuk do ta njeh pavarësinë e Ksovës dhe do të insistojë që problemet të zgjidhen mbi bazën e rezolutës 1244 të KS të OKB".
Referendumi dënohet nga Lunacek, Brantner...
Referendumin e serbëve e kanë dënuar dhe autoritetet ndërkombëtare. Raportuesja e posaçme e Parlamentit të Evropës për Kosovë, Ulrike Lunacek kumtoi se "me këtë referendum plotësisht të panevojshëm, fushata paraelektorale serbe ka mbërritur përfundimisht edhe Kosovën." Votimin në këtë referendum ajo e quan si "provokim kontraproduktiv" i cili "do të dëmtojë rëndë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nxitë forcat nacionaliste". "Përgjigja e vetme e drejtë e qeverisë në Kosovë është forcimi i angazhimit për realizimin e projekteve të filluara në veri. Ajo duhet të bindë popullatën serbe që Kosova është shteti i të gjithë qytetarëve të saj", pohon Lunacek.
Ndërsa Franziska Brantner, zëdhënëse për politikë të jashtme e grupit parlamentar ekologjist në PE bën të ditur se edhe vet autoritetet serbe, presidenti i Serbisë Boris Tadiq dhe ministri për Kosovën Goran Bogdanoviq e kanë quajtur këtë referendum të dëmshëm dhe të panevojshëm. "Në vend të provokimeve të hidhura do të ishte mirë që të punohet në implementimin e planit të Ahtisaarit, me qëllim që serbët e veriut më në fund të realizojnë të drejtat e tyre që u takojnë", pohon ajo.
Berlini kundër referendumit
Referendumi i serbëve në veri ka shkaktuar reagime negative edhe në Berlin. Zëdhënësja për politikë të jashtme e ekologjistëve Marieluise Beck, kumtoi se bashkësia ndërkombëtare e ka shpallur me të drejtë si të pavlefshëm referendumin e serbëve në veri. "Është shumë e qartë që kemi të bëjmë me një provokim të fushatës parazgjedhore serbe. Referendumi ka për qëllim të minojë gatishmërinë e palës serbe dhe kosovare për bisedime", pohon Beck. Në veri, sipas saj, nuk mund të flitet për liri demokratike. Banorët e atjeshëm janë nën presione të vazhdueshme. "Kërcënohen të gjithë ata që angazhoen për pajtim me shqiptarët. Referendumi në këto kushte është një farsë. Pavarësia e Kosovës është e lidhur ngusht me planin e Ahtisaarit. Plani parashikon krijimin e një shoqërie demokratike dhe multietnike në Kosovë, ku serbët duhet të gëzojnë të gjithë të drejtat që u takojnë minoriteteve. Ndërsa përpjekjet për ndryshimin e kufijëve paraqesin një rrezik për stabilitetin e tërë rajonit", kumtoi Mariluise Beck.
Autorë: Agj / Bahri Cani
Redaktoi: Esat Ahmeti