190711 Staudamm Energie Proteste Chile
27 Korrik 2011Jo aq shumë kundër energjisë hidrike, por ndaj pronarëve të hidrocentraleve protestojnë kilianët, të cilët duan të pengojnë ngritjen e projektit gjigant të digave në Patagoni. Në aspektin teknikoenergjitik planet mund të krahasohen me projektin ambicioz Desertec në Afrikën Veriore dhe po ashtu edhe në Kili projekti shtyhet përpara nga konsorciumet energjitike. Pjesë e kësaj historie është edhe shtrirja e linjës më të madhe në botë të transmisionit të tensionit të lartë dhe të drejtat mbi ujin, të cilat janë rindarë pak para përfundimit të diktaturës së Pinoçetit.
Lart nga helikopteri duket sikur krahina patagoniane Aysen është fare e paprekur nga dora e njeriut: liqene dhe fusha akulli të pafund, lugina të lumenjve, masive malore të pabanuara dhe kanione të paarritshme, që arrijnë deri në Paqësor. Dy prej tyre, luginat e lumenjve Pasqua dhe Baker duhet të kthehen në ujëvara artificiale dhe përmes pesë pendave gjigante të prodhojnë një çerekun e nevojave aktuale energjitike të Kilit. Shqetësimet ekologjike quhen të paarsyeshme nga inxhinierët: "Ne përmbysim më pak se 6.000 hektarë dhe prodhojmë mbi 2700 megavat energji elektrike. Ky raport e bën projektin tonë më efikasin të hidro-energjisë në botë."
Rrjeti më i gjatë i transmisionit të tensionit të lartë në botë
"Hidroasyen" quhet projekti, i cili do të ketë kuptim vetëm, nëse ndërtohet një rrugë e tensionit të lartë 2000 km e gjatë, e cila rrymën e prodhuar do ta transferonte nga jugu i Kilit në metropolin e Santiagos dhe më tutje deri në minierat e bakrit në veri. Ky do të ishte rrjeti më i gjatë i transmisionit të tensionit të lartë në botë, i cili do të kalojë përmes fjordeve, pyjeve të virgjëra, kanioneve vullkanike, rajoneve me tërmete dhe parqeve kombëtare. 200 milionë dollarë kanë shpenzuar tashmë në planifikimin e këtij projekti, edhe pse për të ende nuk është marrë leja e ndërtimit. Daniel Fernadez, zëvendësdrejtor i Hidroasyen, me mbështetjen e presidentit të Kilit Sebastian Pinera e prezanton projektin si "praktikisht të paalternativë": "Në mes të viteve 1987 dhe 1996 në Kili janë dyfishuar nevojat energjitike dhe sërish deri në vitin 2000. Unë shpresoj që ne rritemi në vit për katër deri në pesë për qind, në mënyrë që t'u japim shans më shumë njerëzve. Kjo ka nevojë për shumë energji. Më së voni pas 15 vitesh nevojat do të dyfishohen edhe njëherë."
Në fakt, Kili deri tani nuk ka bërë asnjë përpjekje për të shkëputur zhvillimin ekonomik nga konsumi i energjisë. Energjia e prodhuar në treg nga uji, gazi, apo qymyri shpenzohet nga industria e minierave. Disa centrale të reja janë të diskutueshme në mesin e tyre edhe termocentralet, të cilat me lirimin e gazërave ndotin ambientin dhe rrezikojnë shëndetin e mijëra banorëve.
Protestë kundër neoliberalizmit
Por asgjë nuk ka shkaktuar kaq shumë rezistencë sa rrjeti i digave në qoshin më të largët të vendit. Disa mijëra kilianë kryesisht të rinj kanë protestuar para pallatit presidencial. Ndërkohë ata e dinë se pas tyre qëndrojnë rreth 70 për qind e popullatës. Patricion Rodriguez, zëdhënësi i aleancës së aksionit "Patagonia pa diga": "Është krjuar një hapësirë për protesta sociale kundër një modeli të zhvillimit, të cilën më nuk e duan shumë qytetarë. Ata nuk duan thjeshtë më shumë rritje dhe shpenzime të kota, por edhe mbrojtje të ambientit, vllazërisë, që të jenë të lumtur. Por askush nuk flet për këtë... Ky është po ashtu një rebelim kundër neoliberalizmit, i cili sundon këtu për më shumë se 30 vjet."
Autor: Thomas Nachtigall / Esat Ahmeti
Redaktoi: Angjelina Verbica