Rebelim kundër "Kanunit"
31 Korrik 2012Kristiani ka 18 vjet, që nuk është larguar nga banesa e prindërve të tij. Vetëm aty djali, që tani është burrë, ka qenë i sigurtë nga familja e gjakmarrësve. Ai është njëri nga djemtë, për të cilët kujdeset motra Christina Färber, një murgeshë gjermane.
Motër Christina organizoi këtë udhëtim në liri, që nisi me një vizitë tek Papa në Romë. Regjizori Marc Wiese e shoqëroi grupin së bashku me një ekip xhirimi. Filmi i tij «Të përndjekurit. Pushime nga gjakmarrja» transmetohet me 1 gusht në orën 23:30 në televizionin gjerman ARD.
Marc Wiese e njeh motrën Christina prej kohësh. Në vitin 2007 ai xhiroi për të dhe luftën e saj kundër gjakmarrjes në Shqipëri filmin dokumentar "Kanun", të nderuar me çmim. Që atëherë ai e njeh edhe Kristianin. Marc Wiese e pati vizituar të riun e pafajshëm në dhomën e tij të gjumit, që ishte burgu i tij.
Motër Kristina lufton për pajtimin dhe faljen
Sipas rregullave 500 vjeçare të «Kanunit», të ligjit për nderin dhe hakmarrjen, gjakmarrësi nuk lejohet të vrasë askënd, në shtëpinë e tij. Që prej 15 vjetësh motër Kristina lufton në stacionin e saj të vogël të misionit «Jo Gjakmarrje» në Shkoder kundër gjakmarrjes. Ajo do t'i tregojë njerëzve rrugën e pajtimit dhe të faljes.
Historia e gjakmarrjes së familjes së Kristianit nisi para shumë vitesh me një grindje banale dhe me një shuplakë. Ajo u "shlye" me një vrasje dhe kështu filloi spiralja e gjakderdhjes, që vazhdon deri sot. «Vdekja e dhunshme e një pjesëtari të familjes mund të shpaguhet vetëm me gjakun e një të afërmi të dorasit", thonë rregullat arkaike.
Guximi për të kapërcyer traditën
Marc Wiese e shoqëroi grupin në udhëtimin e tij nëpër Gjermani dhe e plotëson filmin me pamje të xhiruara pesë vjet më parë. Në Gjermani të rinjtë vizituan shumë shkolla dhe komuna, për të treguar për jetën e tyre në gjakmarrje. Për shumë ishte befasuese që kanuni nuk respektohet nga shumica muslimane në Shqipëri, por nga të krishterët, si familja e Kristianit.
Cikli i vrasjeve mund të ndërpritet vetëm me guximin e njerëzve, për të hequr dorë nga tradita. Nën drejtimin e motrës Kristina të rinjtë u betuan në një kishë katolike se do të heqin dorë nga dhuna. Në vend të kanunit, bibla duhet të jetë përmbajtja e jetës së tyre, deklaruan ata në një letër, që i drejtuan Papës. Keto ishin ditë, që u dhanë atyre guxim.