1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reale është ajo, që tregon UEFA

Joscha Weber/Angelina Verbica21 Qershor 2012

Kampionati Evropian ofron pamje të bukura, megjithëse UEFA ndërhyn dhe censuron. Rezultatet sportive deri tani nuk kanë qenë marramendëse, mendon redaktori sportiv, Joscha Weber.

https://p.dw.com/p/15Ikg
Fotografi: Reuters

Janë pamje, që nuk duhet të mungojnë në pasqyrën e përfundimit të ndeshjeve në grup. Janë pamje aq të dashura për UEFA-n. Roveshata spektakolare anësore e Ibrahimovicit, këngët e pafundme rrënqethëse të irlandezëve, një puthje e fortë ndërmjet trajnerit të kombëtares kroate Slaven Bilić dhe një tifozi, tifozë të humbur në vallëzim në shiun e rrëmbyer të Doneck-ut, apo puthjet, që Shakira i dërgonte nga tribuna në drejtim të mikut të saj spanjoll, Gerard Piqué.

Racizëm, trazira në rrugë – edhe ky është Kampionati Evropian

Joscha Weber
Joscha Weber

Këto pamje flasin më shumë se 1.000 fjalë. Ato janë të fuqishme dhe përcjellin te ne mesazhin e ndeshjeve të ndezura të UEFA-s. Në përgjithësi mund të thuash se Kampionati Evropian është një festë e gëzueshme. Por realiteti është shpesh disi më i komplikuar. Sepse edhe këto pamje janë një pjesë e Kampionatit Evropian 2012. Racizëm i hapur kundër lojtarëve me ngjyrë, urrejtje e papërmbajtur dhe përleshje në rrugë ndërmjet tifozëve polakë dhe rusë dhe protestues të indinjuar, që kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Ukrainë. Që UEFA nuk gëzohet për pamje të tilla, që dëmtojnë imazhin e produktit të saj, Kampionatit Evropian, është e qartë. Por që ajo i censuron pjesërisht pamjet, që shfaqen në mbarë botën, është një skandal. Ndërsa një pamje e trajnerit gjerman Lëw me një nga djemtë, që presin topat, e marrë para ndeshjes, transmetohet, sikur të ketë ndodhur gjatë ndeshjes, lihen jashtë pamje të pllakateve me përmbajtje kritike. Reale është ajo, që sjell UEFA në ekranin e televizorit.

Shumë e vërtetë është për fat të keq edhe dalja e hershme nga gara e dy vendeve mikpritëse. Polonia dhe Ukraina kishin hyrë me eufori të madhe në ndeshjet në grup, dalja e tyre do ta zbresë pak euforinë e deritanishme. Të dyja skuadrat nuk ishin në nivelin e duhur, sepse me gjithë disa arritje individuale të lojtarëve të klasit, si Levandovski apo Shevçenko, mungonte një koncept i ekipit në tërësi. E njëjta gjë konstatohet edhe për holandezët, tej mase të zhgënjyer. Edhe favoritëve Francës dhe Rusisë, fillimisht të ngritur në qiell, iu desh të zbrisnin të zhgënjyer në tokë. Ndërsa "Équipe Tricolore" e ndihmoi fati për të hyrë në çerekfinale, rusët, nga të cilët pritej shumë, dështuan për shkak të mbajtjes së tepërt të topit dhe nga rregullat e UEFA-s.

Një rregullore, që thuajse askush nuk e kupton

Rusët dështuan për shkak të mbajtjes së tepërt të topit dhe nga rregullat e UEFA-s.
Rusët dështuan për shkak të mbajtjes së tepërt të topit dhe nga rregullat e UEFA-s.Fotografi: Reuters

Që ata me gjithë diferencën më të mirë të golave mbetën pas Greqisë, ka të bëjë me logjikën e rregullores 72 faqëshe, që zor se mund ta kuptojë kush. Po aq e pakuptueshme për shikuesin mbetet deri tani varfëria e shkëlqimit të lojës dhe e elementeve kreative të saj. As loja me pasa “tiqui-taca” e spanjollëve dhe as futbolli gjerman me ritëm nuk u aplikuan deri tani me konsekuencë. Në vend të kësaj duket sikur edhe ekipeve të forta në lojë, u merret fryma për shkak të shtrëngesave taktike.

Megjithatë janë kampionia Spanja dhe rivalja e përhershme Gjermania, të cilat edhe pas fazës së parë mbeten favoritet kryesore për shkak të forcës në lojë dhe efektivitetit. Konkurrentët e tjerë pasojnë me distancë. Më afër tyre është Italia, e cila me gjithë përfshirjen e disa lojtarëve në skandalet e basteve, të bind deri tani taktikisht. Të gjithë të tjerët duhet të përmirësohen ndjeshëm, që të luajnë një rol të rëndësishëm. Anglezët, francezët dhe portugezët kanë potencial të madh, por nuk e tregojnë deri tani. Dhe në qoftë se nuk do ta bëjnë as në të ardhmen, gëzohën dy ekipet, që ndodhen më mënjanë në këtë çerekfinale: Çekia dhe Greqia. Nuk do të ishte hera e parë, që ato i nervozojnë të mëdhenjtë.