1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reagimet ndaj vizitës së Tadiqit në Sarajevë

7 Korrik 2011

Vizita e presidentit serb Tadiq në Sarajevë shkaktoi reagime të ndryshme. Analistët thonë se sjellja e tij përcaktohet nga rrethanat politike në Serbi. Kritikët thonë se ai ka raporte të ngushta me Republikën Srpska.

https://p.dw.com/p/11qyz
Presidenti i Serbisë Boris Tadic në Sarajevë
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në SarajevëFotografi: DW

Për shkak të bashkëpunimit tepër intensiv mes Beogradit dhe Banjallukës presidenti serb Boris Tadiq kritikohet për politikë të dyfishtë ndaj Bosnjë-Hercegovinës. "Megjithë shumë çështje të hapura mes dy vendeve, është dashur të kalojnë pesë vjet që Tadiqi të vizitojë Sarajevën", thotë analistja Tanja Topiq. Sipas saj, kjo flet për raportet e ftohta mes Beogradit dhe Sarajevës në njërën anë, si dhe afërsinë e madhe mes Beogradit dhe Banjallukës në anën tjetër.

Tadic: "Në Bosnjë -Hercegovinë ekzistojnë dy entitete, tre popuj dhe qytetarët e këtij vendi."

Analistja Tanja Topic
Analistja Tanja TopiqFotografi: DW

Vizita e djeshme (06.07.) e Tadiqit në Sarajevë u realizua pas arrestimit të Ratko Mlladiqit, i cili në Tribunalin e Hagës akuzohet për krime dhe gjenocid në Bosnjë-Hercegovinë. Kjo ka bërë që Tadiqi në Banjallukë dhe në pjesë tjera të Republikës Srpska të shikohet si një "tradhëtar kombi". Ky qëndrim i serbëve të atjeshëm për shumë analistë është një dëshmi tjetër se serbët e Bosnjë-Hercegovinës nuk kanë hequr dorë nga ëndrra e Millosheviqit për krijimin e një "Serbie të Madhe".

Tadiqi është i detyruar të kujdeset edhe për kërkesat e pjesës radikale të serbëve. Prandaj e ka të vështirë të heqë dorë nga mbështetja e grupeve etnike në Bosnjë. "Në Bosnjë -Hercegovinë ekzistojnë dy entitete, tre popuj dhe qytetarët e këtij vendi. Të gjitha çështjet, për të cilat arrihet marrëveshje e përbashkët, janë të pranueshme edhe për Serbinë", tha Tadiq, pas takimit me anëtarët e Kryesisë së B-H.

Kukic: Mesazhi i Tadiqit është qëllimmirë

prof.dr.Slavo-Kukiq, analist politik dhe kandidat për kryesues të Kryesisë së Ministrave në B-H
Slavo KukicFotografi: DW/Savic

Analisti politik dhe kandidati për kryesues të Kryesisë së Ministrave në Bosnjë-Hercegovinë, profesori Sllavo Kukiq, thotë për Deutsche Wellen se mesazhi i Tadiqit për raporte të mira ndërfqinjësore ka qëllime të mira.

"Kjo do të thotë se ai pranon sovranitetin dhe integritetin territorial të B-H, se është përcaktuar për raporte të mira mes shteteve në rajon dhe për rrugën evropiane të Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë", thotë Kukiq.

Sipas tij, shoqëria serbe është e ndarë në një pjesë, që i takon mendimeve të Serbisë nga shekulli 19, dhe në pjesën evropiane. Tadiqi e ka vështirë që të balancojë mes këtyre dy rrymave dhe duhet të ketë kujdes që të mos mbështesë forcat destruktive të shekullit të 19, mendon Kukiq. Ai i bën thirrje edhe politikanëve në Sarajevë që të kenë më shumë mirëkuptim për homologët e tyre në rajon, për shkak të zhvillimeve dhe presioneve të brendshme politike.

Autor: Samir Huseinoviq/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica