Reagime gjermane për vrasjen e Benazir Butos
28 Dhjetor 2007Vrasja e udhëheqëses opozitare pakistaneze, Benazir Buto shkaktoi shok dhe keqardhje edhe në Gjermani. Kancelarja gjermane Angela Merkel shprehu keqardhjen dhe tronditjen e saj për vrasjen e Butos dhe e dënoi ashpër këtë akt terrorist.
Kryetari i komisionit parlamentar për politikën e jashtme, Ruprecht Polenz (CDU) tha se Pakistani gjendet në prag të anarkisë. Duke shpresuar se apelet e presidentit Musharraf do të ndikojnë në qetësimin e gjendjes Polenz theksoi: “Musharrafi duhet t'ia dalë mbanë që t'i qetësojë gjakrat. Shumë e rëndësishme është që ai t'i sigurojë pakistanezët në mënyrë të besueshme se do të bëhet gjithka për sqarimin e këtij krimi. Ndoshta edhe me ndihmë nga jashtë në rast se Pakistani nuk mundësitë dhe teknikën e nevojshme."
Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer u shpreh për një goditje të rëndë për lëvizjen e demokracisë në Pakistan.
Ministria gjermane e Punëve të Jashtme u rekomandon qytetarëve që deri në sqarimin e gjendjes të mos shkojnë për vizitë në Pakistan.