1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Reagim "i pafat"

Kthesë e papritur: Presidentit amerikan Obama i vjen keq që qortoi policin për arrestimin e diskutueshëm. Ai foli në telefon me policin e bardhë dhe po përpiqet të ndërmjetësojë në grindjen me profesorin me ngjyrë.

default

Presidenti Barack Obama ju përgjigjet pyetjeve gjatë një konference për shtyp të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë.

Debati për diskriminimin racor në SHBA u rindez pasi presidenti Obama e damkosi publikisht si "të paarsyeshëm" një aksion policor kundër një profesori me ngjyrë të Harvard-it. Fjala është për rastin e Henry Gates-it, të cilin policët e arrestuan si të dyshuar dhe i vunë pranga si i dyshuar në çastin kur po hapte derën shtëpisë së vet në Cambridge (Massachusetts). Presidenti reagoi dje dhe bëri fjalë për një zgjedhje "të pafat" fjalësh.


Ishte surprizë. Në informimin e shtypit në Shtëpinë e Bardhë u shfaq papritur personalisht i zoti i shtëpisë. Me sa duket presidenti Barack Obama e kishte të qartë, se polemika mbi rrethanat e arrestimit të profesorit me ngjyrë të Harvard-it, Henry Gates, rrezikonte të dilte jashtë kontrolli.


"Kur të duhet të bësh një punë, bëje vetë."


Kështu e shpjegoi presidenti paraqitjen e tij të paparalajmëruar. Ai u bëri të ditur gazetarëve të habitur, se sapo kishte folur në telefon me policin Jim Crowley. Pra me policin e bardhë, i cili arrestoi javën e kaluar në shtëpinë e vet shtetasin me ngjyrë Henry Louis Gates. Obama e kishte cilësuar të mërkurën arrestimin si "sjellje pa mend". Tani, gjatë telefonatës me punonjësin e policisë, presidenti pranoi:


"Zgjedhja e fjalëve të mia ishte e pafat. Kam përcjellë përshtypjen, se fola keq për këtë stacion policie dhe veçanërisht për policin Crowley. Duhet t'i kisha peshuar ndryshe fjalët dhe këtë ia thashë policit Crowley."


Festnahme eines Schwarzen in Cincinatti

SHBA-ja njeh raste të shumta të diskriminimit racor.

Obama shtoi, se polici Crowley është një polic i shkëlqyer dhe njeri i mirë. Megjithatë, tha ai, kam përshtypjen se si punonjësi i policisë ashtu edhe profesori kishin reaguar në mënyrë të tepruar gjatë incidentit të javës së kaluar.


Me paraqitjen e tij të papritur në Shtëpinë e Bardhë Barack Obama u përpoq t'ia dilte në kthesë. Me vërejtjen e tij: "sjellje pa mend", ai ngjalli zemërim tek shumë amerikanë. Punonjës të policisë në Cambridge, në qytetin e Crowley-t, kishin mbajtur më parë një konferencë për shtyp në shenjë solidariteti me kolegun e tyre, gjatë së cilës i kërkuan ndër të tjera presidentit të kërkonte falje.


Gjatë paraqitjes së tij të shkurtër para gazetarëve Barack Obama pranoi se nuk kishte zgjedhur tonin e duhur duke kontribuar kësisoj në ngatërresën mediatike, por ai u mbrojt për faktin që në rastin e arrestimit e kishte marrë fjalën si president. Për shkak të historisë së vendit dhe të vështirësive në të kaluarën afro-amerikanët janë veçanërisht të ndjeshëm për këtë temë, tha Obama. Shpresoj që të gjithë të mësojnë diçka prej kësaj ngatërrese, shtoi presidenti.


Me sa duket presidenti do të fillojë shpejt me këtë. Ai paralajmëroi se së shpejti do të pinte një birrë me policin Crowley dhe me profesorin Gates në Shtëpinë e Bardhë.

Autor: Anna Engelke / Elert Ajazaj

Redaktoi: Pandeli Pani

  • Data 25.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IxHH
  • Data 25.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IxHH