Raporti i TI: Shqipëria përmirësim në luftën kundër korrupsionit
23 Shtator 2008Nëse do ta shikosh nga pikëpamja numerike raporti i fundit i Transparency International mbi indeksin global të përceptimit të publikut për korrupsionin, Shqipëria ka bërë disa shkallë më lart. Nga pozicioni në vendin e 105-të që ishte një vit më parë aktualisht është në të 85-in, në një nivel me dy fqinjët në rajon Serbinë dhe Malin e Zi. Drejtorja ekzekutive e Transparency International Albania, TIA, Marjana Papa, duke prezantuar në Tiranë të dhënat e raportit, ka komentuar treguesit për Shqipërinë, si inkurajuese që në të ardhmen progresi i bërë të jetë i qëndrueshëm. Por sipas saj, Shqipëria renditet ende mes vendeve ku fenomeni i korrupsionit është një problem serioz dhe që kërkon përpjekje sistematike dhe të qendrueshme për tu luftuar.
Sipas veprimtarëve të TIA-s, rezultati i Shqipërisë është inkurajues, por vitin e ardhshëm atë e pret një sfidë tjetër e rëndësishme, arritja e standarteve në zgjedhjet e përgjithshme. Realizimi i votimeve të lira dhe të ndershme. Por dhe rregullimi i çështjes së financimit të partive politike.
Marjana Papa, drejtore ekzekutive e TIA, u shpreh se jo vetëm Shqipëria por dhe vendet e tjera të rajonit që janë vlerësuar me poshtë notës 5 përballen me fenomenin e përhapjes së korrupsionit.