Raporti i progresit për vitin 2009
14 Tetor 2009Drejtori për Ballkanin në Komisionin Evropian, Pier Mirel, qëndron në Kosovë për t'i dhënë zyrtarisht qeverisë së Kosovës raportin e progresit për vitin 2009. Qeveria e Kosovës thotë se do ta shqyrtojë me kujdes raportin, që sipas saj ka mjaft vlerësime pozitive, ndërsa opozita shprehet e shqetësuar me vlerësimet negative, sidomos lidhur me siç thuhet shkallën e lartë të korrupsionit dhe ndërhyrjet politike në ndërmarrje publike dhe në media.
Qeveria e Kosovës kritikohet për ndërhyrje politike në caktimin e posteve kyçe
Raporti i BE-së për Kosovën, i cili tashmë është publikuar në mediat kosovare, ka paraqitur shumë aspekte negative, ngecje dhe keqësim të punës në disa institucione të Kosovës. Në raport Qeveria e Kosovës kritikohet për ndërhyrje politike në caktimin e posteve kyçe në shërbimet civile, si emërimi i njerëzve në postet e larta civile nëpër ministri, në bordet e ndërmarrjeve publike, zyrën e Ombudspersonit si dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo ka dëmtuar kredibilitetin e institucioneve të Kosovës që të menaxhojnë procesin e emërimeve në mënyrë korrekte dhe transparente, thuhet në raport. Zëvëndëskryeminitri i Kosovës, Hajredin Kuci, thotë se qeveria e Kosovës do ta shqyrtojë me kujdes raportin.
Qeveria do të reflektojë në përputhje me vlerësimet e raportit
“Do të reflektojmë në raportin e progresit. Ne do të reflektojmë në dy drejtime. E para do të reagojmë në përputhje me reagimet, që t'i plotësojmë sfidat, që kanë mbetur. Dhe e dyta do të reflektojmë në përputhje me përgjegjësitë e individëve, që kanë kryer veprime, ose nuk kanë kryer veprime, që është dashur të kryhen”, thotë zëvëndëskryeministri, Hajredin Kuci.
Opozita kosovare thotë se qeveria e Kosovës përfundimisht duhet ta japö një shpjegim mbi vlerësimet negative, që u bëhën institucioneve të Kosovës në raportin e progresit. Adrian Gjini është nga AAK.
“Tani pushteti në Kosovë duhet t'u përgjigjet këtyre pyetjeve dhe të tregojë se kush po e thotë të vërtetën, Komisioni Evropian, i cili thotë se ka përkeqësim dhe degradim të jetës në të gjitha aspektet, apo qeveria e Kosovës, e cila thotë se ka progress në të gjitha aspektet”, thotë Adrian Gjini.
Në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën thuhet se sa i përket korrupsionit ka një përparim "të kufizuar"
Mirëpo gjithsesi korrupsioni mbetet dominues në shumë fusha në Kosovë dhe vazhdon të jetë çështje serioze shqetësuese. Thuhet po ashtu se krimi i organizuar, sidomos ai në veri, është identifikuar si problem serioz, sado që EULEX-i bën regjistrimin e hyrjes së mallrave nga Serbia në Kosovë.
Në këtë pikë, Ibrahim Gashi nga AKR-së, parti opozitare, thotë se në këtë rast përgjegjsia duhet të ndahet.
“Në një farë mënyre përgjegjësia për veriun e Kosovës duhet të ndahet, si për institucionet vendore, ashtu edhe për ato ndërkombëtare, duke mos e harruar këtu edhe Beogradin zyrtar, i cili nëpërmes serbëve të Kosovës pengon shtrirjen e juridiksionit kushtetues në të gjithë territorin e Kosovës”, thotë Ibrahim Gashi. Sidoqoftë Komisioni Evropian në raportin e progresit për Kosovën nuk e ka kritikuar shumë parlamentin e Kosovës ashtu si vitet e shkuara. Si të arritura të qeverisë konsiderohet rritja e kapaciteteve të saj, krijimi i ministrive të reja dhe emërimi i disa zyrtarëve të lartë në pozitat kyçe dhe përpjekjet për përmirësimin e gjendjes së pakicave.
Autor: Bekim Shehu
Redaktoi: Angjelina Verbica