1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë bardhë e zi

Viron Gjymshana7 Nëntor 2007

Raporti i Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor nxjerr në pah edhe problemet madhore me të cilat vazhdojnë të ndeshen Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Bosnja.

https://p.dw.com/p/C4nA
Tirana
TiranaFotografi: DW

Shpresojmë që deri në fund të vitit 2008 të kemi nënshkruar marrëveshjet e Asocim - Stabilitetit me të gjitha vendet e Europës Juglindore - kështu deklaroi sot në Bruksel komisioneri përgjegjës për zgjerimin Olli Rehn, duke paraqitur raportin vjetor të Komisionit Europian për vendet e Ballkanit Perëndimor. Megjithë përparimet e arritura sfida të mëdha presin vendet e këtij rajoni - deri sa të flitet për një anëtarësim të këtyre vendeve në BE - bëhet e ditur në këtë raport.

Shqipëria bardhë e zi

Përsa i takon Shqipërisë raporti për të mund të konsiderohet si bardhë e zi. « Janë vërejtur përparime, por shumëçka mbetet për tu bërë » - theksohej në të. Vetë komisioneri Rehn veçoi në treguesit negativë konfliktin e ashpër partiak në Shqipëri si dhe korrupsionin e përhapur gjerësisht. Madje pa mëdyshje ai e kushtëzoi çdo afrim të mëtejshëm të Shqipërisë me Bashkimin Europian me krijimin atje të një klime bashkëpunimi ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Edhe ndaj Maqedonisë kritikat nuk mungonin. Tensioni politik ka shkaktuar ngecjen në vend të reformave - nënvizoi ndër të tjera Olli Rehn.


Kroacia përpara

Sipas Komisionit Europian Kroacia është vendi që ka bërë më shumë përparime prandaj edhe merr vlerësimet maksimale. Njëkohësisht Olli Rehn bëri të ditur se Komisioni Europian do të rinisë nga nesër bisedimet për marrëveshjen e asocim stabilitetit me Serbinë, negociata që ishin ndërprerë për mungesë bashkëpunimi të Beogradit me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Por duket se Brukseli ka vendosur t'i rifillojë këto bisedime me Beogradin, në kohën që zgjidhjes së statusit të Kosovës po i afrohet fundit të saj.


Do të fillojnë bisedimet me Serbinë

Vetë Olli Rehn deklaroi se agonia nuk i shërben askujt dhe se ka ardhur koha e zgjidhjes së statusit pa vonesë. Ai bëri thirrje për më shumë përkulshmëri si nga Beogradi ashtu edhe nga Prishtina gjatë këtyre negociatave që po udhëhiqen nga Treshja ndërkombëtare. Rehn bëri të ditur po ashtu se megjithëse negociatat për marrëveshjen e asocim stabilitetit me Serbinë do të rifillojnë, ato do të përfundojnë, pra kjo marrëveshje do të nënshkruhet, vetëm pas dorëzimit në Hagë të të kërkuarve kryesorë nga Gjykata, siç janë Karaxhiç dhe Mlladiç.