1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raporti i Bankës Federale: "Gjermanët preferojnë të paguajnë cash"

16 Korrik 2009

Konsumatorët në Gjermani vazhdojnë të preferojnë të paguajnë me para në dorë, cash. Në rreth 83% të operacioneve të pagesave, gjermanët e paguajnë shumën që kërkohet me kartëmonedha dhe monedha eurosh.

https://p.dw.com/p/Iqio
Një thes me para i Bankës FederaleFotografi: picture-alliance/chromorange

Bundesbank-a, Banka Federale, ka shtypur shumë para: 140 miliardë euro qenë në krye të bashkimit monetar. Tani, dhjetë vjet më vonë kemi dyfishin e kësaj shume: 328 miliardë euro. Shumë para cash u nevojitën, kur në vjeshtë të vitit të kaluar Banka Lehman Brothers falimentoi dhe kur u rrit frika për një valë falimentimi midis bankave. Gjermanët filluan të tërheqin para në dorë sic bënin përndryshe vetëm në Krishtlindje, i vunë ato nën jastëk ose i nxorrën jashtë vendit. Helmut Rittgen, drejtues i sektorit qendror të Parave në Dorë në Bundesbankë: "Një pjesë e madhe e parave, që u kërkuan atëherë u akumuluan dhe u shfrytëzuan për kërkesën e botës së jashtme. Ky ishte blloku më i madh. Kjo ishte pjesa më e konsiderueshme. Kjo po normalizohet gradualisht sërish."

Gjermanët nuk kanë më besim tek bankat

Megjithatë, shumë para akumulohen. Vetëm 31 miliardë euro, 10% e parave kesh në qarkullim, mjaftojnë për të kryer pagesat e përditshme në mënyrë cash: për të blerë simite te bukëpjekësi, për të blerë ushqime në tregun fshatar, birrë në pijetore si dhe për të paguar për modelin e ri të flokëve te berberi. Por pjesa më e madhe e parave, 55% deri 60 % mbahet brenda vendit. Askush nuk e di, nëse këto para mbahen thjesht nën jastëk apo qepen me dyshekun, sepse zotëruesit e tyre nuk kanë besim te bankat. Apo nëse ato përdoren për biznese ilegale me drogë dhe prostitucion. Apo për ta bërë të lulëzojë tregun e punës.

Larja e parave të zeza

Sepse paratë e zeza, kur shfaqen, nuk qendrojnë brenda vendit, por rrjedhin në botën e jashtme dhe prej andej edhe hyjnë prapë në vend. Spanja është një shembull, thotë anëtari i kryesisë së Bundesbankës, Thilo Sarazinn: "Ne nuk e dimë pse mbahen jashte qarkullimit paratë e thata, paratë kesh. Ndoshta sepse ato nevojiten për transaksione, të cilat nuk ke dëshirë t'i publikosh ose në përgjithësi për shkak kujdesi. Nga futja masiva e parave në Gjermani, të cilën e kryejnë bankat spanjolle, mund të konkludosh se kjo nuk shpjegohet vetëm me faktin se turistët paguajnë me para në dorë. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se atje, shtëpitë e pushimit dhe gjëra të ngjashme në masë të madhe paguhen me para në dorë nga gjermanët. Kjo sjell me vete përparësi të dyfishta, që paratë zhduken prej këtu dhe se në shumë vende shumat në marrëveshjen e blerjes janë të tjera nga ato që paguhen me të vërtetë."

Kjo do të thotë: paguesi me para cash shpëton kështu nga paratë në të zezë që ka paguar dhe veç kësaj atij i duhet të paguajë taksa më të ulta për fitimin dhe te noteri. Sepse pagesa orientohet tek çmimi që shkruhet në marrëveshjen e blerjes.

25 % të tjera të parave kesh mbahen në botën e jashtme- një traditë që Euroja e trashëgoi nga Deutsche Mark-a. Kjo ndodh për shembull në disa vende të ish-Jugosllavisë.

Autorë: Michael Braun/ Auron Dodi

Redaktoi: Sonila Harasani