1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raportet etnike në Vojvodinë mbeten të qëndrueshme

Dinko Gruhonjic28 Mars 2008

Ministria e Brendshme e Serbisë përgënjeshtron pohimet e radikalit Milorad Mirçiq për trazira ndëretnike në Vojvodinë pas njohjes së pavarësisë të Kosovës nga Hungaria.

https://p.dw.com/p/DWOI
Selia e Kuvendit të Vojvodinës në Novi Sad
Selia e Kuvendit të Vojvodinës në Novi SadFotografi: DW / Dinko Gruhonjic

Përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme serbe i përgënjeshtruan pohimet e zyrtarit të lartë të radikalëve serbë, Millorad Mirciç, se ekzistoka një skenar i jashtëm që në Vojvodinë të provokohen trazira ndëretnike pasi Hungaria e njohu Kosovën si shtet të pavarur.


Sipas gjeneralit të policisë Mladen Kuribak: “Ajo që është karakteristike për periudhën e kaluar është se nuk ka ardhur deri në përkeqësimin e raporteve ndëretnike përkundrazi janë regjistruar më pak raste incidentesh mbi baza nacionale.”

Këshilltari i Ministrit të Brendshëm të Serbisë Dragomir Obradoviq thekson: “Ne me kënaqësi mund të konstatojmë se nuk kanë qenë situata të parashikuara apo të dëshiruara, të mos u futemi tani këtyre gjërave.”

Këshilli për Siguri i Kuvendit të Vojvodinës i dënoi ashpër deklaratat e radikalit Milorad Mirçiq duke vlerësuar se në këtë mënyrë provohen dhe ngrihen tensione në Vojvodinë në prag të fushatës elektorale. Këshilli në fjalë ka kërkuar nga prokuroria që të merret me rastin e Mirçiqit.

Nënkryetari i Kuvendit të Vojvodinës nga radhët e Lidhjes së Hungarezëve të Vojvodinës Shandor Egereshi deklaroi se: “Vlerësojmë se në Vojvodinë gjendja është e qëndrueshme sa u përket marrdhënieve ndëretnike. Edhe më tej theksojmë se nëse do të kemi ndonjë incident atëherë ai nuk do të jetë një reagim spontan por një lloj aksioni i koordinuar nga qendrat e ndryshme siç janë për shembull partitë politike, apo organizatat esktremiste në Vojvodinë dhe Serbi.”

Egereshi po ashtu u bëri një thirrje publike të rinjve, prindërve dhe profesorëve për ta ruajtur bashkarisht Vojvodinën shumëkombëshe dhe shumëgjuhëshe.

Edhe pse ishte thirrur që të raportonte para Këshillit për Siguri se prej nga i kishte siguruar të dhënat për skenaret e mundshme të incidenteve në krahinë, Mirçiq nuk u paraqit në Kuvendin e Vojvodinës.