1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Ramush Haradinaj lirohet me kusht

Lirimi me kusht ia kufizon lëvizjet Ramush Haradinajt, i cili duhet të qëndrojë në Francë dhe të paraqitet dy herë në javë në policinë franceze.

Gjykata franceze në Colmar, mori vendim (12.01)që ta lirojë me kusht ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Lajmin e konfirmon njëri nga avokatët e tij, Arianit Koci. 

Lirimi me kusht ia kufizon lëvizjet Ramush Haradinajt, i cili duhet të qëndrojë në Francë dhe të paraqitet dy herë në javë në policinë franceze. Vendimi për lirimin me kusht u mor në një seancë dëgjimore, pas paraqitjes së kërkesës  për ekstradim nga autoritetet e Serbisë dhe pas kërkesës së palës mbrojtëse për lirimin e Haradinajt.

Ndërkohë, në Kosovë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që  drejtohet nga Ramush Haradinaj, është shprehur e befasuar me vendimin e autoriteteve gjyqësore franceze, të cilat nuk ia mundësuan Haradinajt që të kthehet në Kosovë. Sipas AAK-së "vendimi që ai të lirohet nga paraburgimi, por jo edhe t'i lejohet kthimi në atdhe, nuk është drejtësi e plotë".

"Ne apelojmë tek organet e dreqësisë në Francë që të përshpejtojnë procedurat dhe t'i japin fund çfarëdo mase kundër Ramush Haradinajt, meqë ai i ka spastruar të gjitha pretendimet për krime lufte në procesin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi", thuhet në reagimin e AAK-së.

Që nga arrestimi i Ramush Haradinajt nga autoritet franceze (04.01) bazuar në një urdhër-arrest  ndërkombëtar nga Serbia, në shumë qendra të Kosovës dhe jashtë saj, mbështetës të Ramush Haradinajt, protestojnë duke kërkuar lirimin e tij. Në këtë kuadër, AAK-ja në reagimin e saj thotë, se  "e kupton mospajtimin e miliona mbështetësve të Haradinajt në këtë proces, dhe u bën thirrje të gjithë atyre, që mbështetja për Haradinajn të vazhdojë të jetë civilizuese dhe e dinjitetshme".

"Ne jemi të bindur se mbajtja e Haradinajt në Francë dhe procesi kundër tij, i iniciuar me flet-arrest politike të Serbisë, do të marrë epilog pozitiv shumë shpejt", thuhet në reagimin e AAK-së.

 

Lirimin e plotë të Ramush Haradinajt e ka pritur edhe qeveria e Kosovës, e cila thotë se  fletarrestet e lëshuara nga Serbia janë të paligjshme.

“Qeveria e Kosovës, vendimin e sotëm të organeve kompetente franceze për lirimin me kusht të z. Haradinaj e konsideron vetëm si një hap, dhe pret që ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i AAK-së, shumë shpejt do të lirohet plotësisht dhe do të rikthehet në Kosovë. Qeveria e Kosovës rithekson qëndrimin e saj se fletarrestet serbe, në bazë të të cilave është bërë ndalimi i z. Haradinaj, janë plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione dhe konflikte, duke i bërë thirrje autoriteteve franceze dhe atyre në të gjitha vendet tjera që të mos i marrin parasysh”, thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Në të njejtën linjë u shpreh edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke i cilësuar sic thotë ”ambsurde, ndalimet që u bëhen ish pjestarëve të UCK-s, bazuar në fletarrestimet e Serbisë.  Kryeparlamentari Veseli beson se organet e drejtësisë në Francë do të përshpejtojnë procedurat dhe t’i japin fund çfarëdo mase ndaj Ramush Haradinajt. Kadri Veseli thotë se u ka dërguar një letër kryetarit të Asamblesë Nacionale të Francës dhe kryetarit të Senatit, duke konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit e të miqësisë midis Kosovës dhe Francës.

“Më lejoni të ndaj me Ju një shqetësim të institucionit të cilin e drejtoj, Kuvendin e Republikës së Kosovës, lidhur me ndalimin që i është bërë, në shtetin tuaj, Ramush Haradinajt, ish deputet dhe ish Kryeministër i Kosovës. Ne besojmë fuqishëm në parimet e larta të drejtësisë franceze, të cilat burojnë nga tradita juaj republikane. Ne besojmë se z. Haradinaj do të trajtohet në përputhje të plotë me këto parime. Po ashtu, më lejoni të theksoj se z. Haradinaj, për akuzat me të cilat ngarkohet nga autoritetet e Serbisë, është shpallur dy herë i pafajshëm nga Tribunali  Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi”, thuhet në letrën e  kryetarit të kuvendit të Kosovës Kadri Veseli.

Autoritetet e Serbisë, nuk e kanë komentuar lirimin me kusht nga autoritetet franceze të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, mirëpo, kryeministri serb, Aleksander Vuqic, bëri të ditur se ka thirrur  për nesër një mbledhje të jashtzakonshme të qeverisë së tij për të diksutuar  sic thotë për këtë rast.

Sidoqoftë, nuk është hera e parë që Ramush Haradinaj, arrestohet në bazë të flet-arresteve të lëshuara nga Serbia e që zbatohen nga Interpoli. Në qershor të vitit 2015 Haradinaj u arrestua  në Aeroportin e Lubjanës, në Slloveni, kur po kthehej nga një vizitë zyrtare nga Gjermania. Kosova nuk është pjesë e Interpolit, mirëpo, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës,  vazhdimisht kanë kërkuar nga Interpol që mos merren parasysh flet-arrestet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës.

Ramush Haradinaj, ishte kryeministër i Kosovës në vitin 2005. Pas ngritjes së aktakuzës nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe u dorëzua vullnetarisht në Hagë. Në vitin 2008, Gjykata e Hagës e shpalli atë të pafajshëm.  Katër vjet pas u bë rigjykimi i tij po në Tribunalin e Hagës, ku edhe në vitin 2012 Ramush Haradinaj u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat që e ngarkonin atë për krime lufte.  Ramush Haradinaj ishte njëri nga komandantët e ish-UÇK-së për rajonin e Dukagjinit. Pas luftës ai ishte themelues i subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti kjo të cilën e udhëheq edhe sot.