1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rajoy nën akuza për korrupsion

Nina Werkhäuser/Bahri Cani5 Shkurt 2013

Spanja po vuan nga kriza ekonomike, ndërsa kryeministri Mariano Rajoy kritikohet për korrupsion. Këto gjëra e ngarkuan edhe vizitën e tij në Berlin. Por kancelarja Merkel e mbështeti në tërësi.

https://p.dw.com/p/17YLr
Merkel dhe RajoyFotografi: REUTERS

Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy sheh dritë në fund të tunelit. Me një program strikt kursimesh ai do që ta nxjerrë vendin e tij nga kriza, theksoi politikani konservator, i cili nga dhjetori i vitit 2011 është në krye të kabinetit qeveritar. Së pari Rajoy ka shtrënguar masat ndaj bankave që kanë dhënë kredi pa kontroll për pasuri të patundshme. Ato duhet të krijojnë para rezervë dhe duhet që kreditë e këqija t'i kalojnë në një "bad bank".

Ndërkohë që janë shkurtuar shpenzimet e aparatit të shtetit dhe janë ngritur tatimet, me qëllim që të ulet deficiti buxhetor.

Merkel und Rajoy Regierungstreffen in Berlin
Merkel dhe Rajoy gjatë konsultimeve qeveritare në BerlinFotografi: REUTERS

"Ne mund të vërejmë që tani rezultate pozitive në ekonominë e Spanjës", tha Rajoy gjatë konsultimeve qeveritare në Berlin, me kancelaren Angela Merkel. "Por qytetarët e Spanjës ende nuk i kanë vërejtur përmirësimet, në radhë të parë në nivelin e papunësisë."

Fakt është që pesë milionë spanjollë ende janë të papunë. Ndërsa niveli i papunësisë tek të rinjtë është 50%. Mungesa e perspektivës së një gjenerate të tërë ka sjellë tendosje të mëdha sociale. Sipërmarrjet gjermane duan që me aftësimin e të rinjve spanjollë të ofrojnë mundësi për një perspektivë më të mirë, theksoi kancelarja Merkel.

Qeveria nën presion

Pak para largimit të Rajoy-t nga Berlini, Spanjën e kanë tronditur disa afera të reja. Arkëtari i dikurshëm i partisë së tij popullore konservatore (PP), duket se ka strehuar në konto sekrete në Zvicër rreth 20 milionë euro. Supozohet se fjala është për para nga kursimet ilegale. Po ashtu supozohet se Rajoy ka qenë njëri prej atyre që i ka marrë këto para.

Buchcover Spanien Korruption Rafael Aníbal
Autori Rafael Aníbal trajton aferat korruptive në SpanjëFotografi: Continta me tienes

Kryeministri ishte i detyruar që për këto gjëra të bënte në fundjavë edhe një deklaratë. Kurrë nuk kam marrë para sekrete prej dikujt, siguroi ai. Për aferën e korrupsionit do të ketë një "transparencë" totale, tha ai. Por megjithë zotimin e tij, politikanët nga opozita dhe demonstruesit spanjollë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

Çështje e autoritetit moral

Rajoy u konfrontua me këtë çeshtje edhe në Berlin. Një gazetar nga Spanja e pyeti: A e keni autoritetin moral për të kërkuar nga spanjollët që të flijohen edhe më shumë? Kritikat ndaj tij "janë absolutisht të gabuara", nënvizoi Rajoy. Por tani është vënë në pikëpyetje autoriteti i tij moral si një politikan i besueshëm. Kancelarja gjermane Angela Merkel e ka mbështetur kryeministrin spanjoll, me fjalët se ajo ka besim të plotë tek politika e tij. Raportet mes Gjermanisë dhe Spanjës janë aq të mira, sa që vështirë se mund të përmirësohen edhe më shumë.