1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Wieland: Mos bëni premtime datash për liberalizimin e vizave

Bekim Shehu
10 Maj 2018

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, eurodeputeti gjerman Rainer Wieland, porosit udhëheqësit kosovarë që mos të bëjnë premtime me data se kur do të bëhet librealizimi i vizave për Kosovën.

https://p.dw.com/p/2xVHr
Rainer Wieland CDU Europa-Parlament
Fotografi: imago/Gerhard Leber

Rainer Wieland, i shoqëruar edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt dhe shefi i fondacionit gjerman "Konrad Adenauer” në Kosovë, Johanes Rey,  takuan kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe udhëheqësit tjerë politikë në Kosovë, përfshirë edhe ata të opozitës.

"U rekomandoj të gjithëve që të mos bëjnë premtime, siç është rasti me liberalizimin e vizave, por të punojnë dhe të vazhdojnë të angazhohen në përmbushjen e kritereve evropiane. Aktualisht topi është në anën e Komisionit dhe të Këshillit Evropian dhe jo të Parlamentit Evropian”, tha Rainer Wieland. Ai tha se në Parlamentin Evropian akoma nuk ka ardhur ndonjë dokument për t'u votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Kosova gati për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nga ana e tij, tha se "qeveria e tij është maksimalisht e angazhuar në përmbushjen e të gjitha obligimeve për agjendën evropiane, nismën për reformën në administratën publike, avancimin e raporteve për fqinjësi të mirë dhe nevojën e përmbylljes së bisedimeve me Serbinë”.

Kosovo Treffen von Rainer Wieland mit Ramush Haradinaj
Rainer Wieland dhe Ramush Haradinaj Fotografi: Office of the Prime minister of Kosovo

"Kosova është gati për liberalizimin e vizave dhe ne presim mbështetjen e Parlamentit Evropian në këtë proces, i cili është jetik për qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj. Sipas tij, për Kosovën është e rëndësishme intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik me Gjermaninë, duke forcuar kështu marrëdhëniet bilaterale.

"Kosova është partneri ideal i Gjermanisë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik. Ne kemi resurset e nevojshme, të përshtatshme për investitorët gjerman dhe tani është koha që të shohim projekte konkrete në këtë drejtim”, tha kryeministri Haradinaj.

Kosova ka bërë progres

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, eurodeputeti gjerman Rainer Wieland, i cili është po ashtu është zyrtar i lartë në partinë e kancelares gjermane, Angela Merkel, zhvilloi një takim edhe me shefin e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku sërish pjesë e bisedave ishte liberalizimi i vizave për Kosovën.

Kosovo Treffen von Rainer Wieland mit Ramush Haradinaj
Fotografi: Office of the Prime minister of Kosovo

"Shumë gjëra ende duhet të kryhen, po shoh që vendi ka bërë progres dhe ne jemi të gatshëm të mbështesim vendin tuaj në gjërat të cilat duhet të kryhen. Nuk shoh akoma ndonjë momentum që dokumenti për viza të vij në Parlamentin Evropian që të votohet. Parlamenti Evropian insiston që kushtet të plotësohen. U rekomandoj të gjithëve në Kosovë që të mos bëjnë premtime për gjëra siç është  liberalizimi i vizave”, tha  Rainer Wieland.

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, eurodeputeti gjerman Reiner Wieland, në fund të vizitës në Kosovë sipas një komunikate të qeverisë ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për gatishmërinë e bashkëpunimit për projekte specifike nga fushat e edukimit në programet e BE-së dhe qeverisë gjermane.