1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qyteti Studenti në Tiranë rinovon godinat me ndihmë gjermane

Premtimi i kancelares gjermane Merkel, kur vizitoi Shqipërinë është konkretizuar me një donacion prej 4.5 milion eurosh. Disa godina në Qytetin Studenti në Tiranë do të rinovohen për të kursyer më shumë energji.

Ndërmarrja e Trajtimit të Studentëve nr 1, ose siç njihet rëndom Qyteti Studenti, operon si shoqëri aksionere në varësi të Bashkisë së Tiranës. Në këtë rezidencë studentore jetojnë rreth 5 mijë të rinj etë reja nga gjithë krahinat e vendit, të cilët ndjekin nivele të ndryshme universitare. Qyteti studentor ka 26 godina banimi, 5 prej të cilave pritet që t'i nënshtrohen një rikonstruksioni rrënjësor, sipas metodologjisë së eficencës së energjisë. Pas hartimit të një masterplani për të gjithë territorin, autoritetet zyrtare shqiptare kanë negociuar me palën gjermane, përfaqësuar nga Banka Gjermane për Zhvillim, KfW nga fundi i vitit 2013.

Përvoja gjermane në rinovimin e ndërtesave me eficencë energjie

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Hellmut Hoffmann në momentin e zyrtarizimit të marrëveshjes për zbatimin e këtij projekti, theksoi faktin se financimi prej 4.5 milion eurosh është konkretizim i një një premtimi të kancelares Angela Merkel gjatë vizitës së saj në Tiranë, rreth 11 muaj më parë. “Gjermania ka një përvojë të konsiderueshme në rinovimin e ndërtesave me eficencë energjie, qoftë lidhur me teknologjitë, qoftë sa i përket financimit përmes KfW. Shumë studentë do të përfitojnë nga mundësi qenësisht më të mira të banimit dhe studimit. Konsumi i energjisë do të reduktohet dukshëm, buxheti i shtetit do të jetë më pak i ngarkuar dhe klima do të mbrohet. Me kënaqësi presim edhe bashkëpunimin e ardhshëm në ndërtimin e linjës së tensionit të lartë 400 kv Shqipëri-Maqedoni. Shqipëria ka mjaft potencial për energjitë e rinovueshme, në mënyrë të veçantë të asaj diellore. Ky potencial mund të shfrytëzohet më me intensitet dhe ne duam ta forcojmë bashkëpunimin tonë të ardhshëm në këtë drejtim”.

Helmut Hoffmann deutscher Botschafter Albanien Gedenken Borova

Ambasadori i Gjermanisë, Helmut Hoffmann

Impakti ekonomik dhe social i rikonstruksionit

Drejtorja e Qytetit Studenti, Anila Shehu, ka qenë prezent në të gjithë ciklin e negociatave dhe po ndjek nga afër zbatimin e projektit. Megjithëse ndërhyrja nga ky grant është pjesore, ajo mendon se efektet do të jenë të dukshme. Në rradhë të parë investimi ka një impakt ekonomik, thotë Shehu për Deutsche Welle-n. “Qyteti Studenti është një konsumator shumë i madh i energjisë elektrike. Aktiviteti i banorëve, për të jetuar në dhomën e tyre dhe për të studiuar, për ngrohje e ndriçim është i varuar nga energjia elektrike. Vetëm dy godina janë me sistem ngrohje alternative, por dhe ato problematike. Të tjerat me energji elektrike.

Një faturë financiare marramendëse, thekson Shehu, por dhe shërbimi nuk është i sigurtë, sepse kur rrjeti mbingarkohet dalin vështirësi të tjera. Ajo thekson një fakt tjetër, impaktin social. "Në godina të rinovuara sipas skemave të eficencës së energjisë, do përmirësohen rrënjësisht kushtet e studentëve, jetesa e tyre do të jetë më e mirë, po e po, por dhe më praktike në raport me pjesën e tyre të studimit dhe realizimit të detyrave. Në bazë të mundësive të studentëve do të ketë formate të larmishme të arredimit dhe sipërfaqeve të dhomave të tyre, si dhe numrit të atyre që do jetojnë në to. Studenti do të ketë alternativë qëndrimi, sipas mundësive që ka, sipas modeleve të kampuseve universitare në vendet e BE-së”. Ekspertët e auditit të kontraktuar nga KfW janë aktualisht në një proces vlerësimi të kostove të projektit dhe më pas pritet që të kalohet në fazat e mëtejshme zbatuese. Gjithçka menaxhohet dhe do të vijojë të menaxhohet nga pala gjermane.

Tirana Campus Albanien Anila Shehu

Drejtoresha Anila Shehu

Investim për energji miqësore me mjedisin

Prof. Sazan Guri, ekspert i njohur i mjedisit, mendon se ndërtime të tilla, ku ndiqen rregulla të eficencës së energjisë janë imediate në një vend si Shqipëria. Ai merr si shembull qytetin e Tiranës, që në 25 vitet e fundit thuajse eshtë katërfishuar në numër popullate, në një kohë që ndërtimet për banim, për biznes a nevoja publike janë shumëfishuar. Të mbash në themel të jetesës së një qyteti metropol, si Tirana, rrymën elektrike si burim të vetëm energjie, ky është një dëm i pallogaritshëm, thotë prof. Guri për Deutsche Welle-n.

Proteste gegen Vernichtung syrischer Chemiewaffen in Albanien

Ambientalisti, Sazan Guri

“Vende të tjera, si Hungaria, Serbia, Rumania etj., kanë lëvizur prej më shumë se dy dekadash në zbutjen e përdorimit të energjisë elektrike, duke futur në lojë energji të tjera alternative. Ata po i marrin frytet e këtyre politikave dhe investimeve. Më tepër se 80 përqind e godinave në Budapest janë të termoizoluara. Në Tiranë numëron me gishtat e dorës godina të termoizoluara, ndërtuar në 15 vitet e fundit. Që do të thotë se deri në 50% janë humbjet që vijnë nga mosizolimi i tyre, më shumë vapë në verë, dhe më shumë ftohtë në dimër. Shikoni në tarracat e pallateve. Në vend që të ketë panele diellore, si burim alternative energjie, ka depozita dhe kazanë uji, që duket sikur i japin edhe më shumë vapë qytetit në verë dhe ftohtësi në dimër.”