Pilger wollen Jesus sehen
20 Prill 2010Hildegard dhe Ernst Rump kanë ardhur nga Bad Laer nga landi gjerman i Saksonisë së Poshtme në Torino, për të parë pëlhurën e Krishtit. Ky çift i moshuar është shumë i interesuar për historinë e artit dhe për fenë dhe është i gëzuar që ka gjetur dy bileta, për të parë pëlhurën e ekspozuar. Megjithëse të dy nuk kishin rezervuar gjë në internet, siç rekomandojnë urgjentisht organizatorët e dioqezës së Torinos.
Në radhën e gjatë të njerëzve lëviz edhe çifti Rumps në kopshtin e pallatit mbretëror në Torino, drejt katedrales relativisht të vogël. Një çati prej pëlhure bën hije dhe mbron rradhën e njerëzve nga dielli i fortë i pranverës në Italinë e Veriut.
Vetëm tre minuta kohë për ta kundruar
Ngadalë lëvizin pelegrinët në rruginat e muzeut historik para katedrales. Një semafor sinjalizon nëse duhet të ecësh, apo të qëndrosh. Në katedrale është gjysëmerrësirë. Pëlhura e lirit me përmasat katër metra me katër, varet pas një xhami antiplumb, e ndriçuar fort mbi altar. Majtas dhe djathtas dy policë qëndrojnë roje.
Për Hildegard Rump e gjitha është shumë mbresëlënëse: „Nuk është se mbetem pa mend, por më prek. Në fakt duhet ta shohësh në qetësi." Atyre nuk u mbetet shumë kohë për ta parë. Vetëm tre minuta mund të qëndrojnë para pëlhurës, për të parë shenjat mbi të. Fotografimi është i ndaluar. Disa dhjetëra mijëra njerëz hyjnë në kishë nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Forcon besimin
Pëlhura tregon shenjat e fytyrës dhe konturet e trupit të një burri me mjekër, i cili është torturuar në duar dhe këmbë. Gjurmë gjaku duken në ball, ku ka patur kurorën me gjemba. "Për mua personalisht, është vërtetim i përshkrimeve të testamentit të ri dhe i mesazhit të ringjalljes së Jezu Krishtit", thotë pelegrini Ernst Rump. "Këtu kemi disa pika konkrete referimi, se si duhet të ketë ndodhur. Këto nuk janë gjëra që përbëjnë besimin, por që e mbështesin dhe e konfirmojnë atë."
Për katolikët pëlhura e varrit, që ndodhet në pronësi personale të Papës, është reliktja më e çmuar. Monsignore Guiseppe Ghiberti, organizon shfaqjen e saj në peshkopatën e Torinos. Ai mendon se pëlhura në epokën e sotme vizuale fiton një vlerë krejt tjetër. Figura e birit të zotit është më e fortë se fjala e Zotit thotë ai:: „Për kishën është shumë me rëndësi që të tregojë diçka, që paraqet jehonën e ungjijve. Mesazhi sot është po aq i rëndësishëm si para qindra vjetësh."
Edhe Papa vjen si pelegrin në Torino
3000 ndihmës vullnetarë do t'i orientojnë masat e pelegrinëve deri në fund të majit. Më 2 maj, Papa vjen personalisht në Torino. Për njerëzit e biznesit pëlhura është një bekim i vertetë. Pëlhura e varrit apo (sindone në italisht) është edhe si libër i çmuar, si pullë poste edhe si poster. Dyqanet e suvenirëve janë plot, në hotele nuk ka më vende bosh. Është hera e parë prej vitesh, që pëlhura e varrit të krishtit ekspozohet përsëri në Torino.
Gjurmët e kujt janë në ngulitura në pëlhurë?
Deri sot shkenca nuk e ka të qartë, se si shënjat e fytyrës së burrit kanë lënë gjurmë në pëlhurë. Nuk është bojë, nuk është as fotografi, kjo është fare e qartë. Bruno Barberis konsiderohet si një nga ekspertët më të njohur për kërkimet në lidhje me pëlhurën e varrit. Nëse burri në pëlhurë është me të vertetë Jezu Krishti, është e pasigurtë edhe pas 100 vjetë studimesh, thotë ai në bisedë me DW: "Nuk nuk kam përgjigje përfundimtare dhe të qartë. Unë vetëm mund të them, se me të dhënat që kemi sot mund të thuhet, se probabiliteti është shumë i lartë. Kjo është gjithçka që unë mund të them. Pas dhjetë, pesëmbëdhjetë vjetësh pas studimeve të metejshme do të jemi ndoshta në gjendje të themi diçka më të saktë. Kjo është e mundur." Bruno Baberis planifikon një përcaktim të ri të moshës së copës me metoda më të sakta se para tridhjetë vjetësh. Në atë kohë copa qe vlerësuar të kishte një vjetërsi afro 1300 vjeçare, përfundim që u arrit me metodën radiokarbonike.
Kisha katolike i mbështet studimet. Sipas kryepeshkopit Severino Poletto, nuk ka shumë rëndësi nëse shënjat janë të vërteta apo jo. Admirimi i relikeve në vetvete është një shenjë e besimit të gjallë. Njerëzit duhet të vijnë pa paragjykime tek pëlhura tha kryepeshkopi me rastin e hapjes së ekspozimit të pëlhurës.
Autor: Bernd Riegert/ Angelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama