1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria miraton projektligjin e migracionit

Vilma Filaj Ballvora29 Mars 2007

Një nga temat më të komentuara të shtypit të sotëm është vendimi i qeverisë për projektligjin e migracionit, që më pas duhet të kalojë edhe në parlament dhe në këshillin federal.

https://p.dw.com/p/Arkx
Migrantë në Berlin
Migrantë në BerlinFotografi: dpa

"Landshuter Zeitung/Staubinger Tagblatt" komenton:

"S´ka asnjë diskutim, ligji i ri i migracionit dhe i së drejtës së qëndrimit i lë lamtumirën vizionit multikulti të ekologjistëve, e kjo pavarësisht se ç´ndryshime do të ndërmarrin më tej parlamenti dhe këshilli federal. Ky ligj në radhë të parë orientohet mbi bazën e interesave kombëtare dhe kërkon, që atyre t´u nënshtrohen edhe migrantët që vijnë për bashkim familjeje. Gjermania, siç e ka kuptuar tashmë me vonesë edhe partia socialdemokrate, është e mbingarkuar si një zgjidhëse e problemeve globale. Azilim për viktimat e vërteta të dhunës po, por jo shfrytëzim të sistemit të sigurimeve sociale. Kjo është praktika e gjerë që ndiqet në BE."

Gazeta e Pocdamit "Märkische Allgemeine" bën një krahasim me rregullat në vendet klasike të emigracionit si ShBA dhe Australia, duke komentuar:

"Këto vende as që merren me detajet e së drejtës së qëndrimit, sepse ato kanë kuota të përcaktuara emigracioni, ose bëjnë një përzgjedhje rigoroze të emigrantëve. Përveç kësaj në këto vende nuk ka sisteme sociale që të joshin migrantët. Atje veprohet nën moton: shansi yt është që lejohesh të qëndrosh këtu, shfrytëzoje këtë të drejtë! Mësimi i gjuhës dhe gjetja shpejt e një vendi pune janë kësisoj në interesin e vet migrantit. Por përderisa në Gjermani dhe në vende të tjera të Evropës ka të tjera tradita, është e drejtë, që me ligj të kujdesesh, në mënyrë që pjestarët e familjes që vijnë më pas të kenë pak njohuri të gjuhës gjermane. Kuptohet që këto rregulla përmbajnë disa kushte të ashpra nga këndvështrimi organizatave të migrantëve. Por kjo përbën thelbin e komporimeseve të tilla në koalicion."

"Thüringer Allgemeine" që del në Erfurt lexojmë: "Pasojat janë të parashikueshme. Ashpërsimi i ligjit për të huajt i vendosur në kabinet as nuk do ta drejtojë më mirë migracionin dhe as nuk do ta lehtësojë integrimin e migrantëve. Madje edhe vet ministrit të brendshëm, Volfgang Shäuble, i duhet ta pranojë, që jo gjithmonë në raste të veçanta do të ketë drejtësi. Nisur nga fakti, që politikanët e punëve të brendëshme në koalicionin e madh janë rropatur një vit të tërë me hartimin e këtij ligji, s´mund të prisje gjë tjetër. Ndaj ka ardhur koha të vendosen piketat në mënyrë që të huajt që kërkojnë një strehë të re në Gjermani të integrohen vërtetë në shoqërinë gjermane. Kjo nuk mund të bëhet duke i udhëzuar ata që jetojnë nëpër kampe azilimi."

Ndërsa "Lübecker Nachrichten" nënvizon:

"Projektligji i miratuar dje në kabinet së paku u premton një garanci ligjore të pranueshme 170.000 të huajve në Gjermani, të cilët me vendim duhet të kthehen, por deri më sot kjo vetëm është shtyrë. Askujt nuk mund t´ia urosh që ta orientojë ekzistencën e vet çdo tre muaj duke pasur mbi krye shpatën e Demokleut, se viza e qëndrimit nuk do të shtyhet më. E natyrisht që nuk është e lehtë ta sigurosh bukën e gojës në kushtet e vështira të jetesës në një vend të huaj. Madje në një vend që numëron më shumë se katër milionë të papunë dhe që nuk i mirëpret konkurrentët e rinj në tregun e punës. Por kompromisi i arritur tani është një përpjekje që këtyre njerëzve t´u jepet një ofertë korrekte, ndonëse vlen të theksohet që korrektja luhatet mes poleve të përgjegjësisë dhe të së mundshmes."