1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Qeveria greke mbyll radiotelevizionin publik

Pas vendimit të papritur të qeverisë në Athinë për mbylljen e radiotelevizionit shtetëror ERT për arsye kursimi, të gjithë gazetarët në vend janë hedhur në grevë. Potencial për krizë qeveritare?

Në të gjitha radiot dhe televizionët që prej orës 6 të mëngjesit të sotëm (12.6.) nuk transmetohen më lajme. "Ne do ta vazhdojmë grevën derisa qeveria të kthejë mbrapsht vendimin e saj", tha Dimitris Trimis, presidenti i Shoqatës së Redaktorëve të Gazetave në Athinë. Për shkak të protestës të enjten (13.6.) nuk do të ketë as gazeta. Kjo është një nga masat më drastike të kursimeve në Greqi deri tani: kanalet televizive dhe programet e radios gjatë natës ndërprenë transmetimet. Në fund heshti edhe transmetuesi me valë të mesme në frekuencën me traditë 729 kiloherc. Zëdhënësi i qeverisë Simos Kedikoglu, argumentoi se kanalet e transmetimit "ishin bërë një rast tipik i shpërdorimeve të pabesueshme", me kosto prej 300 milionë eurosh në vit dhe shtatë herë më shumë personel se në institucione të ngjashme. Në të vërtetë ERT kishte famën e keqe si bastioni i fundit i sistemit grek të nepotizmit. Sipas të dhënave të fundit të sindikatës së të punësuarve të ERT-së, nga mbyllja e radiotelevizionit do të humbasin punën 2656 njerëz.

Fundi i epokës 75 vjeçare

Mijëra demonstrues protestojnë para radiotelevizionit publik grek, pas vendimit për mbylljen e tij.

Punonjësit e ERT-së kanë njoftuar qendresë ndaj vendimit të qeverisë

Me mbylljen e ERT-së përfundon një epokë 75-vjeçare në peisazhin mediatik të Greqisë. Programi i parë radiofonik shtetëror ishte transmetuar në vitin 1938. ERT kishte tre programe kombëtare televizive, një program satelitor, shtatë programe radiofonike kombëtare si dhe 19 radio rajonale.

Por duket se ndërprerja e programeve nuk është fund i pakthyeshëm. "Do të ketë një radiotelevizion të ri", tha më tej zëdhënësi i qeverisë Kedikoglou. Ai do të fillojë punën në një moment të mëvonshëm por me shumë më pak punonjës dhe një strukturë të reduktuar. Punonjësit e deritanishëm marrin një zhdëmtim dhe mund të rikandidojnë për vende pune në institucionin pasardhës, premtoi zëdhënësi i qeverisë.

Kritikë nga Unioni Radiofonik Evropian

Qysh të martën (11.6.) në mbrëmje, të punësuar e ERT-së të tronditur nga vendimi për mbylljen, u mblodhën para selisë qendrore në Athinë. Ata njoftuan se do të luftonin kundër vendimit të qeverisë. Kanalet private ndërprenë programet e tyre të rregullta dhe në shenjë solidariteti transmetuan gjashtë orë vetëm përsëritje dhe reklama.

Sindikata e nëpunësve të sektorit publik bëri thirrje për qendresë kundër vendimit të qeverisë. Tubime pati para ndërtesave të radiotelevizionit shtetëror në gjithë Greqinë. Unioni Radiofonik Evropian kritikoi vendimin e qeverisë greke. Ajo synon që me mbylljen e radios shtetërore të përmbushë kërkesat e programit të kursimeve, që donatorët ndërkombëtarë i kanë përcaktuar vendit me borxhe të larta. Greqia duhet të pushojë nga puna deri në fund të vitit 4000 punonjës të sektorit shtetëror, në kuadër të masave të konsolidimit. Deri në fund të vitit 2014 ky numër duhet të jetë 15.000 vetë.

Potencial për krizë qeveritare

Kryeministri grek Antonis Samaras

Mbyllja e ERT-së mund t'i kushtojë kryeministrit Samaras një krizë qeveritare

Vendimi për mbylljen e radios shtetëror sipas qarqeve qeveritare është marrë direkt nga kryeministri Antonis Samaras, shkruan Spiegel Online, dhe ka potencial të shkaktojë një krizë të vërtetë qeveritare. Riorganizimi i radios shtetërore është një temë shumë polemike në koalicion trepartiak: Partia Socialiste greke (PASOK) i kritikon planet për mbylljen e institucionit. Radio dhe televizioni duhet vërtet të modernizohen por kjo nuk mund të bëhet papritur dhe pa marrë parasysh punonjësit, thuhej në një deklaratë të partisë. Kritikë erdhi edhe nga partneri më i vogël në koalicion, E Majta Demokratike (DIMAR): "Është e paimagjinueshme që një vend modern evropian të mbetet qoftë edhe një orë të vetme pa radiotelevizion publik", u tha. Asnjë nga partitë nuk e ka firmosur direktivën ligjore për mbylljen e ERT-së. Sipas medieve greke, kryeministri Samaras i është përgjigjur kritikës së ashpër me një kërcënim: "Nëse ato (partitë në koalicion) duan të rrëzojnë qeverinë për shkak të ERT-së, le ta bëjnë."