1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Polonisë ushqen frikën për refugjatët

Paul Flückiger
16 Qershor 2017

Në një kohë kur Brukseli do të hapë një procedurë penale për shkak të shkeljes së marrëveshjes nga Polonia, qeveria e Varshavës flet për shantazh dhe në rast nevoje do ta mbrojë politikën e saj edhe para gjykatës.

https://p.dw.com/p/2elZj
Polen Rassismus FLüchtlinge
Fotografi: picture-alliance/dpa/P. Pleul

Qeveria polake e refuzon kategorikisht pranimin e refugjatëve. "Polonia është e gatshme që ta mbrojë qendrimin e saj edhe para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë"- me këtë deklaratë luftarake reagoi zëvëndësministri i Jashtëm polak, Konrad Szymanski ndaj vendimit e Brukselit për të nisur kundër një procedurë për shkelje të marrëveshjes kundër Polonisë, Hungarisë dhe Çekisë.

Por problemi i vërtetë për politikën ndaj refugjatëve në Poloni është shumë më i thellë dhe del në pah para së gjithash kur ndodh ndonjë atentat tjetër i Shtetit Islamik. Pavarësisht nëse atentati ndodh në Mançester, në Londër, apo në Paris, ndaj çdo atentati të ri terrorist televizioni shtetëror polak reagon njësoj.

Raportim tendencioz

Fillimisht, një reporter që nxiton në vendin e ngjarjes raporton në mënyrë t theksuar neutrale për viktimat, shkatërrimet dhe gjahun ndaj dorasve. Menjëherë pas kësaj pason një raporton i gjatë inkuadrues për valën e refugjatëve në Evropë, për hungarezët trima, të cilët i mbrojnë kufijtë e tyre nga invazioni, që pasohet nga Angela Merkeli, e cila me "mirëserdhët" që tha mban faj për të gjitha dhe që kërkon tani shpërndarjen e refugjatëve në shtete të tjera. Dhe në fund, objekt i goditjes bëhet Komisioni Evropian, i cili e kërcënon Varshavën me një padi, po të kundërshtojë edhe më tej të pranojë në Poloni refugjatë - midis të cilëve fshihen atentatorët e ardhshëm.

Për këtë kishte shprehur gatishmërinë qeveria e kaluar liberale polake, pak para se ta largonin nga pushteti, dy vjet më parë; 7000 refugjatë nga Siria, Iraku dhe Eritrea do të vinin në Poloni.

Përsa u përket shifrave të shpërnguljes, me përjashtim të Portugalisë janë pas gati të gjitha shtetet e BE. Vetëm më pak se një e pesta e rreth 160.000 refugjatëve të ngecur në Greqi dhe Itali që e mundur të shpërndahen deri tani. Por Polonia, krahas Hungarisë është vendi i vetëm që deri tani nuk ka pranuar fare refugjatë. Komisioneri për Punët e Brendshme të BE, Dimitris Avramopoulus i dha kohë deri në fund të qershorit Varshavës dhe Budapestit dhe kërcënoi në rast të vazhdimit të refuzimit me një padi para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg. Të dyja vendet i presin gjoba të larta.

Zjarrit i hidhet benzinë

Por as kjo nuk e frikëson Poloninë. Që në vitin 2015, Partia "E drejta dhe Drejtësia"(PiS) pati paralajmëruar për një valë refugjatësh dhe me islamizimin që do të pasonte me ta. Në vazhdën e atentateve terroriste, gatishmëria e atëhershme për t'i pranuar refugjatët tek të pyeturit në Poloni ra nga 75 përqind në 25 përqind. Edhe sikur Polonia të pranonte shkurtimin e fondeve të BE për këtë shkak, sot dy të tretat e polakëve janë kundër pranimit të refugjatëve.

Qeveria polake i hedh herë pas here benzinë zjarrit. Vetëm pak ditë më parë, kryeministrja Beata Szydlo bubulloi kundër elitave të verbuara, politikisht korrekte në Bruksel dhe fajin për atentatet islamike në Evropë ua hodhi në mënyrë të përgjithshme refugjatëve. "Ne nuk do të bëhemi pjesë e delirit të elitave evropiane", tha Szydlo. Përkundrazi, qeveria e saj do të kujdeset "që fëmijët polakë të mund të shkojnë të sigurtë në klube, në shkollë dhe në sheshin e lojërave", pa pasur frikë për ndonjë atentat si në Mançester.

Shembuj pozitivë si përjashtim

Por jo të gjithë polakët janë të mbyllur për temën e refugjatëve. Që poshtë nuk mungojnë inisiativat e shoqërisë civile për refugjatët. Kështu, në qytetin e Poznanit në Poloninë Perëndimore, në disa shkolla fillore mblidhen ndihma për refugjatët e Aleppos. Në qytetin të drejtuar gjithashtu në mënyrë liberale të Gdanskut, të mërkurën u prezantua "Manifesti i Gdanskut", një iniciativë evropiane e cila synon që ta organizojë shpërndarjen e refugjatëve që nga baza, komunat, me ndihmën e parave të BE. Por këto inisiativa më tepër mbeten përjashtime.