Qeveria dhe opozita akuzojnë njëra-tjetrën për dështim - Mbi debatin e përgjithshëm për buxhetin në parlament
16 Shtator 2010Me një fjalim therës e hapi dje në mëngjes debatin e përgjithshëm për buxhetin kryetari i Partisë Socialdemokrate Sigmar Gabriel. Ai e kritikoi ashpër politikën e qeverisë. Ajo është përgjegjëse për 12 muaj paralizë politike në Gjermani, tha Gabriel. Sipas tij ministri i jashtëm Guido Westerwelle nuk ia ka dalë të përcaktojë kursin. Nëpërmjet mënyrës së tij të drejtimit Westwerwelle e ka dëmtuar imazhin e Gjermanisë në botë, tha ai. Gabriel e akuzoi kancelaren Angela Merkel se nuk mban parasysh të mirën e përbashkët dhe në vend të kësaj bën politikë klienteliste. Sipas tij në politikën fiskale, atë shëndetësore dhe në politikën energjetike ajo është kthyer në kancelare të koncerneve.
"Ju as që e vini re se ç'dëm bëni këtu në Gjermani. Asnjëherë nuk ka ndodhur që një qeveri të degradohet në vegël të koncerneve të mëdha."
Po në një vrimë i ra edhe kryetari i Së Majtës në parlament, Gregor Gysi. Merkeli nuk është kancelarja e vegjëlisë, e punëmarrësve, e pensionistëve dhe e përfituesve të ndihmës sociale, tha ai. Ajo është kancelarja e lobiistëve, që përfaqësojnë interesat e industrisë farmaceutike, të asaj energjitike dhe të koncerneve të sigurimeve, tha Gysi.
Ai kritikoi se barra e krizës financiare po u ngarkohet në radhë të parë atyre që fitojnë pak dhe të papunëve. Tek ta kursen shteti, derisa shkaktarët e krizës, bankat, nuk përfshihen në dhënien e kontributit, shtoi Gysi. Në Gjermani as të pasurit nuk duhet të kontribuojnë në stabilizimin e buxhetit, tha ai.
Merkeli u mbrojt nga akuzat e opozitës. Qeveria është krenare për nxjerrjen e Gjermanisë sërish në kurs rritjeje dhe për rënien e papunësisë gjatë krizës më të rëndë të kohës së re, tha ajo.
"Ia vlen ta hedhësh vështrimin prapa. Kur para jo më shumë se pesë vjetësh u bëra kancelare, pas shtatë vjetësh nën qeverinë socialdemokrate/të gjelbër, papunësia ishte gati pesë milionë. Sot janë pak më shumë se tre, ndoshta zbresim nën tre. Ky është suksesi i punës dhe edhe suksesi i punës së koalicionit kristian-liberal."
Nga ana e saj Merkeli e akuzoi opozitën se pengon vendimet e rëndësishme të së ardhmes dhe se bllokon modernizimin e shoqërisë.
Autor: Bettina Marx / Elert Ajazaj
Redaktoi: Esat Ahmeti