1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qëndrimi gjerman për riatdhesimin e romëve nga Kosova: Kthim gradual dhe i përmbajtur

2 Tetor 2010

Në bisedë me Deutsche Wellen, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme Gjermane, shprehet mbi çështjen e romëve nga Kosova që preken prej marrëveshjes gjermano-kosovare të riatdhesimit.

https://p.dw.com/p/PSsg
Protestë kundër kthimit të romëve nga GjermaniaFotografi: Rom e.V.

Sipas zëdhënësit nga të dhënat statistikore të landeve të 30 qershorit 2010 në Gjermani jetojnë 8.500 romë nga Kosova të detyruar për t'u kthyer. Në marrëveshjen gjermano-kosovare të riatdhesimit, e cila hyri në fuqi më 1 shtator 2010, nuk përcaktohen as numra për personat e detyruar për t'u larguar, as marrëveshje a pritje në lidhje me numrin e riatdhesimeve të ardhshme të romëve. Vendimin për atë nëse dikush riatdhesohet, edhe për romë, e marrin landet dhe zyrat e tyre kompetente për të huajt pasi verifikojnë çdo rast individual. Veç kësaj, riatdhesimi mund të kryhet vetëm atëherë kur pala kosovare e ka miratuar rastin individual, shprehet zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Gjermane.

Praktika gjermane e riatdhesimit respekton të drejtën ndërkombëtare

Lidhur me efektin e paralajmërimit të komisioneres së BE-së për çështjet e brendshme, si edhe të Komitetit të Migracionit të Këshillit të Evropës dhe Amnesty International-it mbi praktikën e riatdhesimit të romëve kosovarë, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Gjermane thotë: "Sikurse deri tani politika dhe praktika gjermane e riatdhesimit vazhdon të marrë parasysh plotësisht rregullat e së drejtës ndërkombëtare, të asaj të Bashkimit Evropian dhe të së drejtës gjermane për të huajt, për mbrojtjen e refugjatëve apo për mbrojtjen nga kthimi. Një klauzolë përkatëse me referim të veçantë ndër të tjera te respektimi i Konventës së Gjenevës për Refugjatët përmban edhe marrëveshja gjermano-kosovare e riatdhesimit."

Flüchtlingslager namens Osterode Flash-Galerie
Fëmijë romë në KosovëFotografi: Esat Ahmeti

Sipas zëdhënësit përjashtohet veçanërisht mundësia që në Gjermani romët të kthehen në bazë të përkatësisë së tyre etnike. Përkundrazi, para çdo kthimi kryhet gjithnjë një verifikim rasti individual prej zyrave kompetente të landeve për të huajt dhe (për sa kohë është në proces e sipër një procedurë azili) prej Entit Federal për Migracion dhe Refugjatë. Në këtë mes përkatësia në një etni të caktuar mund të arsyetojë në raste të veçanta ndalimin e kthimit në atdhe, kur atje janë të rrezikuara jeta ose liritë e personit të prekur.

Gjermania nuk do t'i kthejë masivisht romët

Autoritetet gjermane do të vazhdojnë të mos ndërmarrin kthime masive në Kosovë, po do të vijojnë me planin e një kthimi gradual dhe të përmbajtur, deklaron zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Sidoqoftë përparësi ka kthimi vullnetar i romëve kosovarë të detyruar për t'u kthyer. Kjo nxitet dhe mbështetet financiarisht në shuma të konsiderueshme nga Programi i Mbështetjes i Federatës dhe i Landeve.

Bosnischherzegowinische Roma in Deutschland Kultur und Leben
Një familje rome feston në sallën e organizatës rome "Rom e.V." në KëlnFotografi: DW

Nëse ka divergjenca midis Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të sipërpërmendura në vlerësimin e gjendjes së romëve në Kosovë, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme Gjermane përgjigjet: "Përballë gjendjes së sigurisë në Kosovë, që atëherë të përmirësuar, administrata kalimtare e Kombeve të Bashkuara për Kosovën (UNMIK) lejoi nga viti 2005 kthimin e një numri të kufizuar romësh (persona të caktuar në ndjekje penale).

Qeveria gjermane bëri vlerësimin e situatës para fillimit të riatdhesimit në 2009

Para fillimit të riatdhesimeve të përgjithshme të romëve vitin e kaluar, qeveria gjermane kreu një vlerësim të aktualizuar të gjendjes së sigurisë. Gjatë kësaj ajo mbërriti në vlerësimin, se për romët në Kosovë nuk ekziston rrezik i drejtpërdrejtë vetëm për shkak të etnisë së tyre. Një numër shtetesh të tjera pranuese evropiane mbërritën në të njëjtin vlerësim dhe kthejnë në Kosovë po ashtu pjesëtarë të pakicave si romët.

Qeveria gjermane e dallon që gjendja ekonomiko-sociale në Republikën e Kosovës nuk krahasohet me standardet ekzistuese këtu dhe në shtete të tjera anëtare të BE-së, thekson zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme. Por prej vështirësive të këtij karakteri në Kosovë janë të prekur shumë nga njerëzit që jetojnë atje, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Gjithashtu vlen të theksohet që sipas rregullave të së drejtës gjermane të të huajve aspekte ekonomiko-sociale në shtetin e destinacionit parimisht nuk janë vendimtare për çështjen nëse personat janë të riatdhesueshëm.

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi