1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Barroso Eurobonds

24 Nëntor 2011

Presidenti i Komisionit të BE Barroso zemërohet që Berlini refuzon obligacionet e përbashkëta të shteteve të Eurozonës, para se të paraqiten hollësitë. Kancelarja Merkel refuzon obligacionet e përbashkëta qeveritare.

https://p.dw.com/p/13G4F
Jose Manuel Barroso në Bruksel
Jose Manuel Barroso në BrukselFotografi: picture-alliance/ZUMAPRESS.com

Në debatin për strategjinë e duhur për stabilizimin e Eurozonës, apo për zotërimin e krizës së borxhit, toni po ashpërsohet. Në disa propozime Komisioni Evropian dhe qeveria gjermane janö unikë, por kancelarja Merkel refuzon obligacionet e përbashkëta qeveritare (eurobondet), si dhe financimin e vendeve të Eurozonës nga Banka Qendrore Evropiane (BQE). Këtë ide Barroso e mbron me forcë. Presidenti i Komisionit Jose Manuel Barroso e sheh bashkimin monetar në  udhëkryq: "Kriza ka treguar se pa një qeverisje të fortë ekonomike në eurozonë, është e vështirë, nëse jo e pamundur, për të mbajtur një monedhë të përbashkët."

Më shumë disiplinë fiskale, më shumë kontrolle të ndersjellëta, duke përfshirë edhe mundësinë, që një buxhet kombëtar shumë deficitar mund të hidhet poshtë, këtë kërkon Komisioni dhe qëndron plotësisht në përputhje me linjën e qeverisë federale në Berlin. Edhe një propozim i vetëm i Komisionerit për çështjet monetare, Olli Rehn, do t'i pëlqente qeverisë federale, që komisioni t'i propozojë në të ardhmen këshillit të shteteve anëtare se kur një vend duhet të hyjë nën ombrellën e shpëtimit: "Përvoja ka treguar se një shtet anëtar do që të shmangë normalisht deri në minutën e fundit një program ndihme. Kjo ka përkeqësuar ndërkohë situatën për vendin në fjalë dhe në mënyrë të qartë për tërë eurozonën, ka rritur koston për shtetet e tjera anëtare dhe nevojat financiare."

Euroobligacionet janë kolektivizim i borxhit

Merkel në parlament në Berlin: "Për të të ardhur keq dhe të papërshtatshme"
Merkel në parlament në Berlin: "Për të të ardhur keq dhe të papërshtatshme"Fotografi: dapd

Por kur është fjala për euroobligacionet e përbashkëta kancelarja gjermane Angela Merkel nuk bën lëshime. Komisioni ka paraqitur tani tre opcione. Ata përfaqësojnë shkallë të ndryshme të kolektivizimit të borxhit. Por Barroso shqetësohet, që ideja e euroobligacioneve, që ai tani i quan obligacione stabiliteti është refuzuar që para se propozimi të shtrohet për diskutim. Ai duhet ta ketë patur fjalën vetëm për Merkelin, e cila të mërkurën në mëngjes (23.11.) në Bundestag, e quajti "për të të ardhur keq dhe të papërshtatshme", që Komisioni drejton vemendjen te borxhet e përbashkëta. Barroso në Bruksel shkoi jashtëzakonisht larg me kritikën e tij: "Sinqerisht më duket se është e papërshtatshme në Bashkimin tonë Europian dhe përkundër respektit për të drejtat dhe detyrimet e të gjitha institucioneve, që të themi që nga fillimi që një diskutim nuk duhet të bëhet."

Barroso e konsideron futjen e eurobondeve çështje kohe

Barroso tha se ideja do të "gjejë rrugën e vet", ashtu siç e gjeti edhe fondi i shpëtimit, EFSF, pas rezistencës fillestare. Samiti i euros në fund të tetorit kërkoi propozime nga Komisioni.

Edhe përsa i përket rolit të Bankës Qëndrore Evropiane, BQE, Barroso u përplas me gjermanët. Ai përshendeti faktin që BQE blen obligacione nga shtetet në borxhe: „BQE duhet të veprojë në kuadër të marrëveshjes. Dhe ne jemi të sigurt se ata do të marrin të gjitha masat e nevojshme, natyrisht jo vetëm për të siguruar stabilitetin e çmimeve, por edhe për stabilitetin financiar, siç bën tashmë."

Qeveria gjermane dhe edhe kryetari i Bankës Federale Jens Weidmann theksojnë në rradhë të parë rolin e Bankës Qendrore Evropiane për të mbajtur çmimet të qëndrueshme. Kështu debati intensifikohet në të paktën dy pika të përballimit të krizës në këtë moment. Barroso tha se ai nuk do të shkojë në kurs konfrontimi me Gjermaninë. Por ai pikërisht këtë ka bërë.

Si funksionojnë eurobondet?

BQE blen obligacione nga shtetet në borxhe
BQE blen obligacione nga shtetet në borxheFotografi: picture-alliance/dpa

Nën termin eurobonde përfshihen modele të ndryshme, me të cilat borxhet e shteteve të eurozonës pak a shumë do të kolektivizohen. Deri tani çdo vend nxjerr obligacionet e veta, për të marrë mjete financiare nga tregjet e kapitalit. Në një obligacion të përbashkët Gjermania do ta vinte në dispozicionin bonitetin e saj të lartë për t'u lehtësuar shteteve në vështirësi qasjen në tregjet e kapitalit. Prapa kësaj ideje qëndron shpresa se boniteti i eurozonës si e tërë do të vlerësohet më shumë nga tregjet financiare dhe agjencitë e vlerësimit se sa shtetet anëtare në veçanti.
Si funksionon ky parim?

Sa më kritike ta vlerësojnë investitorët aftësinë paguese të një vendi, aq më i lartë është çmimi i rrezikut, që ato kërkojnë për t'i dhënë atij hua para. Në tregun e bonove ky mosbesim është shprehur në rritjen e renditeve. Obligacionet e Gjermanisë konsiderohen nga investitorët si investim me rrezik të ulët dhe prandaj kreditë janë të favorshme.
Në anën tjetër vende si Italia, ose Spanja shihen me dyshim nga ana e investitorëve, kështu që renditet e obligacione të tyre qeveritare kanë arritur shuma, që sipas ekspertëve janë të papranueshme. Eurobondet do të unifikonin në formën e tyre më radikale renditet e të gjitha shteteve. Vendet në krizë do të merrnin para të reja ndoshta shumë më lirë.

Autor: Christoph Hasselbach/dpa/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi