1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Warum der Rassismus in Deutschland abnimmt

17 Dhjetor 2011

Sa racistë janë gjermanët? Sondazhet tregojnë se armiqësia ndaj të huajve është në rënie. Por ekspertët paralajmërojnë njëkohësisht, se fenomeni nuk duhet lënë pas dore.

https://p.dw.com/p/13Uja
Një azilkërkuese sheh nga xhami i thyer i dritares në një strehë për azilantë.
A është zvogëlimi i armiqësisë ndaj të huajve tendencë e qendrueshme në GjermaniFotografi: picture-alliance/dpa

"A jetojnë sot në Gjermani tepër të huaj?" - këtë donte të mësonte nga gjermano-perëndimorët në vitin 1984 Instituti Allensbach për demoskopi. Kur anketuesit përsëritën sondazhin 25 vjet më vonë në Gjermaninë e bashkuar, konstatuan një ndryshim të madh: pjesa e atyre, të cilët i përgjigjeshin "po" pyetjes, kishte zbritur nga 79 në 53 për qind, megjithëse pjesa e të huajve në zonën e anketimit ishte rritur nga 7 në plot 10 për qind.

"Luhatje konjunkturore"

Me pyetje të formuluara disi ndryshe universiteti i Bielefeld-it hulumtoi mbi të njëjtën tendencë në një studim që ka nisur në vitin 2002. Mes 2002 dhe 2011 aprovimi i tezës "në Gjermani ka tepër të huaj", ra nga 55 në 44 për qind. "Armiqësia ndaj të huajve momentalisht tregon një tendencë rënieje", thotë Andreas Zick, një nga autorët e studimit. "Por nëse shohim dhjetë vitet e fundit, konstatojmë edhe rritje të herëpashershme."

Profesor Andreas Zick
Profesor Andreas ZickFotografi: Andreas Zick

Politologu nga Kölni Christoph Butterwegge konfirmon gjithashtu paqendrueshmërinë e këtyre tendencave. "Racizmi i nënshtrohet luhatjeve konjunkturore", thotë ai. "Kur ka rritje ekonomike, kur mbizotëron mirëqënia, joshja për të kërkuar 'fajtorë' është më e vogël". Në kohë krizash, përkundrazi qendrimet ekstremiste të djathta shtohen.

Kjo lidhje vërtetohet edhe nga në aspektin empirik. Vendimtar është perceptimi individual për krizën, shpjegon sociologu Andreas Zick: "Kur njerëzit, pavarësisht se cilës shtresë i përkasin, ndihen të kërcënuar nga një krizë, kemi edhe shtim të paragjykimeve."

Një tjetër ndikim të rëndësishëm kanë sipas mendimit të ekspertëve disktutimet shoqërore. Kështu debati i ndezur për ashpërsimin e ligjit të azilimit në fillim të viteve 1990, solli një rritje të qendrimeve armiqësore ndaj të huajve. Edhe dhuna raciste u rrit në mënyrë drastike, dhe arriti kulmin me protestat disa ditore kundër dy strehave për refugjatë në lindje të Gjermanisë.

Thilo Sarrazin
Debati publik që shkaktoi Thilo Sarrazin nuk i ashpërsoi qendrimet armiqësore ndaj fesë islameFotografi: dapd

Paradoksi Sarrazin

Pasojat e debateve publike janë megjithatë të vështira të parashikohen. Vitin e kaluar politikani socialdemokrat Thilo Sarrazin shkaktoi një diskutim disa muaj të gjatë, rreth myslimanëve që sipas tij nuk pranojnë integrimin. Por qendrimet armiqësore ndaj fesë islame nuk u shtuan aspak, përkundrazi.

Tendenca afatgjatë mbetet megjithatë e pandikuar nga shtimi apo reduktimi i qendrimeve raciste. "Vihet re një hapje gjithnjë e më e madhe shoqërore", thotë sociologu Andreas Zick. "Veçanërisht në qytete shohim se njerëzit vlerësojnë shumë larminë kulturore, pasi atje ajo është realitet në jetën e përditshme." Kjo ruan një normë pozitive e cila tashmë është etabluar mjaft mirë.

Pakicë e gatshme për dhunë

Ulrich Wagner, psikolog social në Universitetin e Marburgut, e konsideron të një rëndësie qendrore këtë bashkëjetesë. "Nga studimet dimë se grupet i reduktojnë paragjykimet dhe stereotipet, kur hyjnë në kontakt me njëri-tjetrin", thotë Wagner. Kush ka përjetime personale me migrantë ndikohet shumë pak nga atmosfera sociale.

Poster proteste kundër ekstremizmit të djathtë në Gjermani.
Protestë kundër ekstremizmit të djathtë në Gjermani.Fotografi: picture-alliance/dpa

Por studiuesi nuk mendon se nuk ka më vend për vigjilencë: "Në përgjithësi vihet re një ulje e armiqësisë ndaj të huajve, por kjo nuk do të thotë se kjo vlen njëlloj për të gjitha segmentet e popullsisë." Një pjesë shkëputet gjithnjë e më shumë nga ky zhvillim. Dhe ky grup nuk është aspak i vogël. 19 për qind e të anketuarve në studimin e Bielefeld-it iu përgjigjën "po" thënies: "Kur të tjerët zgjerohen shumë tek ne, duhet t'u tregojmë në rrethana të caktuara dhe kur është e nevojshme edhe duke përdorur dhunë, se kush është i zoti i shtëpisë."

Edhe duke iu referuar tendencave të përgjithshme të zhvillimit të shoqërisë, duhet treguar kujdes, thotë Wagner: "Mund të jetë pozitive që më pak njerëz besojnë se tek ne ka tepër të huaj. Megjithatë duhet të jemi të vetëdijshëm se pjesa që ka mendim të kundërt është ende rreth 50 për qind".

Autor: Dennis Stute / E. Xhani

Redaktoi: Aida Cama