1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270111 Holocaust Bundestag

27 Janar 2011

Bundestagu Gjerman ka nisur seancën përkujtimore në përvjetorin e çlirimit të Kampit të Përqëndrimit, Aushvic. Për herë të parë në këtë seancë e morën fjalën edhe përfaqësues të sintëve dhe romëve.

https://p.dw.com/p/1065t
Monumenti i Holokaustit në BerlinFotografi: AP

Një fjali në gjuhën rome në Bundestagun Gjerman. Soni Vajs, sipërmarrës nga Hollanda dhe anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Aushvicit përshëndet sintët dhe romët në tribunën përshëndetëse të Parlamentit. Para tij, oratorit kryesor të seancë përkujtimore, presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert pati kujtuar vuajtjen e sintëve dhe romëve nën nacionalsocialistët - dhe faktin se kjo vuajtje nuk u vlerësua si duhet. „Për një kohë të gjatë ky grup viktimash qe përjashtuar nga zhdëmtimet. Vetëm në vitin 1982 qeveria federale gjermane e pranoi masakrimin e sintëve dhe romëve si genocid për shkaqe racore. Deri sot, minoriteti më i madh i Evropës është njëkohësisht me siguri minoriteti më i diskriminuar i Evropës.

Soni Vajs foli për gjendjen e sintëve dhe romëve në disa vende të Evropës
Soni Vajs foli para parlamentit gjerman për gjendjen e sintëve dhe romëve në disa vende të EvropësFotografi: picture alliance/dpa

Ferenc Snétberger, kitarist hungarez, me kompozimin e tij të titulluar "në përkujtim të popullit tim", shoqëroi oratorin kryesor, Soni Vajsz: „Sot ne përkujtojmë viktimat e gjenocidit nacionalsocialist ndaj 500 mijë sintëve dhe romëve. Ne kujtojmë viktimat e masakrës ndaj gjashtë milionë hebrenjve, dhe në përkujtojmë gjithë viktimat e tjera të regjimit nazist."

Vajs dhe pak romë të tjerë arritën që më ndihmën e një polici hollandez të kërcejnë nga një tren në ecje e sipër, në një kohë kur nga treni në platformën përballë u transportuan në Aushvic prindërit e tij dhe të afërm të tjerë. „Im atë i thërriste gjithë dëshpërim nga vagoni i kafshëve hallën time: Musla, kujdesi mirë për tim bir. Kjo ishte hera e fundit që i pashë të dashurit e mi. Kjo pamje është rrënjosur përgjithmonë në lëkurën time. Unë isha vetëm. Si fëmijë i moshës shtatëvjeçare unë humba gjithçka dhe rashë në një gropë të zezë pafundësisht të thellë."

Feierstunde im Gedenken an die Opfer des Nationalsozialismus im Bundestag in Berlin 27. Januar 2011
Parlamenti gjerman kujton viktimat e nacionalsocializmitFotografi: picture alliance/dpa

Por vuajtjet e popullit të tij nuk morën fund. Me dhimbje në zë Soni Vajs foli për gjendjen e sintëve dhe romëve në disa vende të Evropës. „ Në Hungari, ekstremistët e djathtë sulmojnë dhe mundojnë sërish hebrenjtë, sintët dhe romët. Neonazistët kanë vrarë romë, midis tyre një fëmijë pesëvjeçar. Në restorante dhe gjellëtore gjen sërish parulla me shkrimin "Ndalohet hyrja e ciganëve."

Dhe kjo në mes të Bashkimit Evropian. Për deputetët e Bundestagut, që u prekën thellë, ky fjalim ishte një kërkesë e qartë për veprim.

Autor: Peter Stützle/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama