1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Putinit i nevojitet kandidati Prochorow

Zgjedhjet presidenciale ruse të marsit 2012, janë duke ardhur. Në njoftimet e mediave në Rusi është duke u përmendur gjithnjë e më shumë emri i Michael Prochorow-it. Ai është kandidat i dëshiruar nga Vladimir Putini.

default

Michail Prochorow, një nga sipërmarrësit më të pasur rus ka të drejtë kur thotë se Rusisë nuk i duhet revolucioni, por i duhet një zhvillim evolucionar në drejtim të demokracisë, ekonomisë së tregut dhe Evropës. Ai ka po ashtu shumë të drejtë kur thotë në një komentar për gazetën britanike “The Guardian“, se me protestat në Rusi në muajin dhjetor ka marrë fund epoka e "demokracisë së komanduar". Për vëzhguesit sipërfaqësore të perëndimit tezat e Prochoriw-it, cili ka bërë plane të kandidojë për zgjedhjet presidenciale ruse, mund të tingëllojnë si spektakolare. Me bindjet e tij liberale dhe evropiane ai pozicionohet si kundërshtar serioz i Vladimir Putinit.

Problemi i Putinit

Por është e paqartë çfarë roli do të luajë Prochorow në zgjedhjet presidenciale. Nuk është shfaqur deri tani asnjë dëshmi, që të flasë bindshëm se ai vepron me porosi të Kremlinit. Por nëse i sheh gjërat në mënyrë objektive, vëren se kur shfaqet si kandidat Prochorow, vepron duke i shkuar për shtat Vladimir Putinit. Nëse nuk do të kishte konkurentë si Prochorow-i, Kremlinit do i duhej ta krijonte një të tillë.

Ingo Mannteufel, drejton redaksinë ruse të Deutsche Welles

Ingo Mannteufel, drejton redaksinë ruse të Deutsche Welles

Pas protestave kundër fallsifikimeve të pretenduara të zgjedhjeve parlamentare, Putini ndodhet para një dileme. Legjitimiteti i zgjedhjeve presidenciale do të lëkundej shumë nëse do të bëheshin fallsifikime të mëdha votash. Po ashtu duket e pafavorshme për të që të fitojë kundër kandidatëve të dobët të viteve të shkuara, pra kundër populistit nacionalist Vladimir Shirinovksi dhe kundër udhëheqësit të komunistëve, Gennadi Sjuganow. Sipas kësaj logjike, Kremlinit do i duhej një kandidat më i nderuar, por që në fakt të mos ketë shance për të fituar kundër Putinit, të paktën jo në fazën e dytë, atë vendimtare, kur me njëri tjetrin përballen kandidatët që kanë fituar fazën e parë. Kandidati Michail Prochorow i përshtatet shumë mirë këtij modeli.

Prochorow kundër Jaëlinski

Prochorow është një nga ata sipërmarrës dinamik dhe të suksesshëm, që në periudhën post-sovjetike arritën nga hiçi të bëhen multimiliarderë. Shumë vetë që kanë ngritur nivelin social vitet e fundit në Rusi mund të identifikohen me këtë njeri selfmade. Ai mishëron idealet e klasës së re të mesme ruse, përfaqësuesit e të cilës morën pjesë me shumicë në protestat e Moskës.

Me pozicionin e tij të djathtë liberal, ai do të marrë me vete në zgjedhjet presidenciale më shumë shtresën e mesme liberale. Të paktën ai do ia merrte votat kreut të liberalizmit rus, socialliberalit Grigori Jawlinski, nëse ky do të shfaqej si kandidat.

Prochorow i jep shkëlqim fitores së Putinit

I sapoardhur në politikën ruse, Prochorow i jep zgjedhjeve presidenciale vrullin që i duhet Kremlinit pas protestave të dhjetorit. Prochorow merr pozicionin e një pjese të protestuesve, të cilët i tremben stanjacionit ekonomik dhe politik të Rusisë. Kremlini e ka njëkohësisht të qartë se Prochorow nuk është në gjendje të marrë mbështetjen e masave të gjera. Disa të dhëna për mirëqënien e arritur vitet e fundit, mjaftojnë për ta bërë atë të pabesushëm tek rusët që jetojnë në skajet e shoqërisë, në provincë dhe në zonat rurale. Këta zgjedhës rusë ndodhen më afër konceptit që përfaqëson Putini për të ardhmen e Rusisë. Në programin e tij zgjedhor të sapoprezantuar, Putini flet për konceptin e një shteti të fortë paternalist, i cili i mundëson qytetarëve të tij "një jetë dinjitoze" brenda Rusisë, kurse jashtë Rusisë statusin e një superfuqie. Edhe në kushte krejt të lira dhe të ndershme, shumica e rusëve do të zgjidhnin në një balotazh midis Putinit dhe Prochorow-it, Putinin.

Autor: Ingo Mannteufel/ Aida Cama

Redaktoi: Mimoza Cika- Kelmendi