1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Publikohet raporti mbi torturat e CIA-s

Edhe pse ministri i Jashtëm Kerry druhet nga dhuna e re antiamerikane, raporti i Senatit mbi programet e torturës pas vitit 2001 do të publikohet pjesërisht. Ambasadat amerikane janë përgatitur, pohon Shtëpia e Bardhë.

Pas debatesh disamujore u vendos që raporti sekret i Senatit të SHBA në lidhje me torturat e shërbimit të fshehtë CIA të publikohet. Sipas Shtëpisë së Bardhë Komisioni për shërbimet sekrete do të nxjerrë të martën një përmbledhje 500-faqeshe. Zëdhënësi i presidentit amerikan Barak Obama, Josh Earnest, tha se qeveria e SHBA e mbështet këtë hap.

Komisioni i shërbimeve sekrete pro vendimit

Në raport bëhet fjalë për praktikat e torturave të CIA-s nën qeverinë e ish-presidentit Xhorxh W. Bush. Veçanërisht në lidhje me "waterboarding", që simulon mbytjen, ka patur kritika të ashpra gjatë "luftës kundër terrorit" në kohën e Bushit. Vetëm së fundmi Obama e cilësoi torturën si gabim.

Komisioni për shërbimet sekrete në Senat, që kryesohet nga senatorja demokrate Dianne Feinstein, pati votuar në prill për publikimin e raportit. Megjithatë sipas këtij vendimi do të bëhen publike vetëm rreth 500 faqe nga raporti me gjithsej 6300 faqe.

Ambasadat të përgatitura

Por qeveria e SHBA ishte kundër këtij vendimi. Javën e kaluar ministri i Jashtëm, John Kerry, paralajmëroi se në këtë mënyrë mund të shkaktohet dhunë e re në Lindjen e Mesme. Përveç kësaj do të rrezikohej jeta e pengjeve të tjera amerikane.

Në të njëjtën kohë qeveria amerikane theksoi se ajo është në parim për botimin e shpejtë të raportit. Zëdhënësi i presidentit Earnest tha se janë ndërmarrë "hapa të zgjuar" për të garantuar sigurinë e institucioneve të SHBA jashtë vendit. Ambasadat kanë marrë masat e duhura.