1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Pse turqit po largohen nga vendi i tyre?

Eksperti për Turqi, Faruk Sen në intervistë me Deutsche Wellen thotë se shumë turq po kthehen në Gjermani. Dikur trendi ishte krejt i kundërt. Cilat janë shkaqet për largimin nga Turqia?

Dr. Faruk Sen (picture-alliance / Sven Simon)

DW: Turqia ka qenë deri para pak kohësh vend i preferuar për shumë intelektualë turq që jetonin në Gjermani. Ka ndryshuar ky perceptim?

Sen: Në Turqi kemi një pakënaqësi me gjendjen e përgjithshme, në radhë të parë me Qeverinë. Shumë intelektualë dhe turq të ngritur nuk shohin asnjë shkak pse duhet bërë ndryshime kushtetuese me 16 prill. Shumica prej tyre do të dëshironte që në Turqi të ketë një demokraci parlamentare dhe jo autokraci.

DW: Mbetemi tek turqit që jetojnë në Gjermani: shumë prej tyre në disa vitet e fundit kanë shkuar nga Gjermania në Turqi për të punuar. Mendoni se tani sërish ata do të kthehen në Gjermani?

Ne në fondacionin TAVAK kemi bërë hulumtimet për lëvizjet e turqve. Prej vitit 2006 - 2012 nga Gjermania në Turqi kanë shkuar rreth 253.000 persona me origjinë turke, kryesisht me profesione të mira. Ata kanë pasur shpesh përshtypjen se për shkak të prejardhjes dhe fesë së tyre janë të diskriminuar në Gjermani. Ata kanë shpresuar se në Turqi do të kenë shanse për një jetë më të mirë. Shumica prej tyre në fillim kanë qenë të kënaqur. Por që nga viti 2014 gjendja është përkeqësuar dhe shumë prej tyre janë të pakënaqur. Ndaj gati 90.000 të atyre që kanë shkuar në Turqi në periudhën pej 2006-2012, sërish janë kthyer në Gjermani. Studimet tona tregojnë se në rast suksesi të referendumit me 16 prill, numri i turqve që do të kthehen në Gjermani do të shtohet.

Pse janë të pakënaqur ata?

Në njërën anë për shkak të keqësimit të gjendjes ekonomike. Deri në vitin 2012 në Turqi ka pasur një rritje të mëdha ekonomike, por prej vitit 2013 vërehet një përkeqësim i gjendjes ekonomike. Këtë vit rritja ekonomike ishte vetëm 2.9 %, që krahasuar me rritjen e numrit të banorëve nuk mjafton. Çdo vit rritet numri i banorëve në Turqi për rreth një milion persona. Në anën tjetër, ka një pakënaqësi të madhe me sistemin politik në Turqi.

Një çështje tjetër janë kostot për jetë, sepse në Turqi çmimet janë mjaft më të larta se në Gjermani. Unë befasohem shumë çdo herë kur vij në Gjermani, për shkak të çmimeve më të ulëta. Inflacioni dhe shtrenjtimet janë një problem për shumë prindër, të cilët i çojnë fëmijët e tyre në shkolla private në Turqi, sepse shumë prej tyre nuk janë më në gjendje të paguajnë këto kosto.

A mund të flitet për një trend të kthimeve të turqve në Gjermani?

Po, unë do të flisja për një trend të tillë kthimi. Një trend i tillë është natyrisht i dëmshëm për Turqinë, në veçanti kur dihet që nga Turqia po kthehen në Gjermani personat më të shkolluar dhe më të përgatitur.

 

 

 

 

Prof. Faruk Sen është kryetar i foncadionit Europian-Turq për Arsim, Shkencë dhe Studime (TAVAK).

Intervistën zhvilloi: Daniel Heinrich