1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KE: Të përshpejtohet reforma zgjedhore

Bekim Shehu22 Mars 2013

Në Kosovë ende nuk ka konsensus të plotë për reformën zgjedhore. Ky fakt po vonon edhe finalizimin e projektligjit për zgjedhjet. Komisioni Evropian kërkon nga klasa politike kosovare përshpejtimin e reformës zgjedhore.

https://p.dw.com/p/182Fu
Fotografi: Getty Images

Po bëhen dy vjet që u arrit një marrëveshje ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, liderit të opozitës Isa Mustafa dhe kryetarit të Aleancës për Kosovën e Re, (AKR) Behxhet Pacolli, për reformën kushtetuese dhe zgjedhore, mirëpo, finalizim të reformave akoma nuk ka. Në seancën plenare të 22 prillit të vitit 2011, me 76 vota për, 6 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës formoi Komisionin ad-hoc për amendimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, koha e veprimit e të cilit duhej të ishte 8 deri në 12 muaj.

Nuk ka konsensus për reformën zgjedhore

Tre krerë të politikë, Thaçi, Mustafa dhe Pacolli, pranojnë që ka pasur ngecje në reformën zgjedhore, mirëpo, ata zotohen për përshpejtim të saj. Kryetari i komisionit për reformën zgjedhore, Haki Demolli, thotë se “komisioni e ka kryer shumicën e punës ndërsa, në lojë janë udhëheqësit e partive politike që të arrijnë konsensus”.

Isa Mustafa
Isa MustafaFotografi: DW/ E. Ahmeti

Haki Demolli: ”Ne si komision kemi bërë atë që ka qenë e mundur të bëhet, sepse shumë çështje kanë qenë të ndërlidhura drejtpërdrejt me partitë politike. Ne për ato çështje nuk kemi pasur mundësi të vendosim.” Çështjet, të cilat janë debatuar në Komisionin por edhe në Grupin punues për reformën zgjedhore, e për të cilat akoma nuk ka konsensus janë: Përcaktimi për sistemin proporcional apo mazhoritar elektoral. E hapur mbetet edhe çështja e listave: Të jenë të hapura apo të mbyllura?. Nëse listat mbeten të hapura, atëherë duhet të debatohet edhe çështja e votave, mundësia që qytetari të votojë vetëm për një apo për më shumë kandidatë siç është edhe në ligjin aktual për zgjedhjet.

Kërkohet përshpejtimi i reformës

Shumë organizata të shoqërisë civile që vazhdimisht monitorojnë proceset zgjedhore në Kosovë, e kanë kritikuar klasën politike kosovare për vonesë në reformën zgjedhore. Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, (KDI), thotë se “kjo vonesë po e dëmton imazhin e Kosovës”. Sipas tij, “klasa jonë politike nuk i ka marrë seriozisht kërkesat e Bashkimit Evropian dhe tashmë kemi edhe publikisht deklarime të përfaqësuesit të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, i cili kërkon që ky proces të shpejtohet." Driton Selmanaj, thotë se “qëllimi i udhëheqësve politik nuk ka qenë i sinqertë, sepse po të ishte qëllimi i sinqertë edhe mbarëvajtja e procesit do të shkonte mirë, por si duket kalkulimet e tyre politike nxorën si rezultat reformën zgjedhore, por assesi nevojën për një reformë të mirëfilltë”.

Samuel Zhbogar, përfaqëson BE-në në Kosovë
Samuel Zhbogar, përfaqëson BE-në në KosovëFotografi: AP

Reformë zgjedhore për një parlament të denjë dhe përfaqësues

Organizatat e shoqërisë civile vazhdimisht potencojnë faktin që çdo reformë që reflekton në proceset elektorale, duhet bazuar mbi atë se çfarë kërkojnë qytetarët. E sipas tyre që një proces zgjedhor të jetë për të mirën e qytetarëve, Kosova duhet të ketë 26 zona zgjedhore, e jo vetëm një zonë zgjedhore, pragu zgjedhor të jetë 3%, e jo 5% siç ishte deri më tani, si dhe të bëhet pastrimi i listave zgjedhore dhe jo të bëhen manipulime me emrat e të vdekurve, siç ndodhi në zgjedhjet e fundit në vitin 2009. Të gjitha këto elemente sipas organizatave që monitorojnë proceset zgjedhore prodhojnë konkurrencë ndërmjet kandidatëve dhe subjekteve politike, rrisin përgjegjësinë dhe llogaridhënien si dhe mundësojnë një parlament të denjë dhe përfaqësues.