Protestat e Iranit dhe bota e jashtme | Bota | DW | 04.01.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Protestat e Iranit dhe bota e jashtme

Irani është përfshirë prej protestave kundërqeveritare. Dhe për këtë shkak bota është e dyzuar: thirrje për ndryshimin e sistemit apo thirrje për dialog.

Siç ndodh shpesh në Iran edhe protesta e tanishme zhvillohet në disa nivele: brenda Iranit fillimisht drejtëpërdrejtë në rrugë - dhe aty ka pasur ndërkohë edhe demonstrata masive pro regjimit - por edhe në luftën për pushtet midis qendrave të ndryshme të pushtetit të establishmentit politik. Jashtë Iranit zhvillohen diskutime për përgjigjen e duhur ndaj këtyre zhvillimeve. Kjo lidhet me shqetësimin se mos përmes reagimeve nga jashtë forcohen pa dashje përfaqësuesit e vijës së ashpër në Teheran dhe dobësohen forcat e moderuara. Përmes shprehjeve të simpatisë dhe mirëkuptimit për demonstruesit dhe shqetësimet e tyre, bëhen përsëri të dukshme qasjet e ndryshme të Evropës dhe SHBA-së në trajtimin me Iranin.

Iran Protest Sicherheitskräfte (FARS)

Protesta në Iran

Qëndrimi i administratës amerikane është i qartë: Presidenti i SHBA-së Donald Trump bëri hapur thirrje për një ndryshim të regjimit në një mesazh në Twitter ditën e Vitit të Ri. Ekspertja amerikane për sigurinë Ariane Tabatabai nga Universiteti Georgetown në Uashington mendon se kjo është kundërproduktive. Në një intervistë me DW Tabatabai bëri thirrje për një qasje të matur: "Ne duhet t'i bëjmë thirrje Iranit të respektojë të drejtën e njerëzve për t'u organizuar - pa propozuar ndonjë qasje të veçantë për ta."

Edhe politikani gjerman Norbert Rëttgen (CDU ) tha se deklaratat e pakujdesshme mund të ushqejnë pretendimet e udhëheqjes në Teheran se kryengritja nxitet nga jashtë. Dhe vërtet drejtuesi më i lartë i Iranit Ali Khamenei i quajti të martën trazirat si "komploti i armiqve të Iranit". Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Cavusoglu u shpreh të mërkurën për mbështetjen e protestave anti-qeveritare nga SHBA-ja dhe Izraeli. Sipas CNN Turk Cavusoglu tha se Turqia është kundër çdo forme të ndërhyrjeve të huaja në Iran.

Hijet e ndërhyrjeve të kaluara

Akuzat për ndërhyrje të tilla ndeshin në terren pjellor në Iran. Shumë iranianë e kanë të qartë rolin e shërbimit sekret të CIA-s për rrëzimin e presidentit të parë të zgjedhur në votime të lira, Mohammed Mossadegh, në vitin 1953, që u pasua nga diktatura e shahut për një çerek shekulli. Në vitin 2013, me rastin e 60-vjetorit të grushtit të shtetit, SHBA botuan dokumente që ishin mbajtur sekrete për dekada të tëra. Kësaj i shtohen edhe përpjekjet e presidentit Trump për ta mobilizuar  botën arabe sunite kundër Iranit.

Evropa e rezervuar

Evropa deri tani ka reaguar me kujdes. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, i bëri të martën thirrje udhëheqjes në Teheran që të respektojë lirinë e grumbullimit dhe të shprehjes. "Bashkimi Evropian po i ndjek nga afër demonstratat e vazhdueshme në Iran, dhunën në rritje dhe humbjen e papranueshme të jetëve njerëzore", tha Mogherini.

Liria e grumbullimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të garantohen pa përjashtim në çdo vend, tha Mogherini dhe u bëri gjithashtu thirrje të gjitha palëve të heqin dorë nga dhuna.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se në një bisedë telefonike me presidentin iranian Hassan Rohani kishte bërë thirrje për përmbajtje në qëndrimin ndaj protestave anti-qeveritare. Në të njëjtën kohë Macroni anuloi një vizitë të planifikuar për këtë javë në Teheran nga ministri i tij i jashtëm Jean-Yves Le Drian.

Edhe Berlini zyrtar shprehu shqetësimin sidomos për viktimat dhe arrestimet e shumta gjatë demonstratave dhe tha që qeveria e Iranit duhet të reagojë ndaj protestave me gatishmëri për dialog.

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu u tall me qëndrimin e Evropianëve duke kritikuar në një video-mesazh se shumë qeveri evropiane po heshin dhe bëjnë sehir, ndërkohë që në rrugë po rrihen shumë iranianë heroikë që kërkojnë drejtësi."

E ardhmja e marrëveshjes bërthamore në pikëpyetje

Ndërkohë SHBA ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork. "OKB-ja duhet të thotë se çfarë mendon", tha ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara Nikki Haley. Si Këshilli i Sigurimit dhe Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë duhej të diskutojnë për arrestimet dhe të vdekurit gjatë protestave në Iran, kërkoi Haley.

Javën e ardhshme Presidenti i Shteteve të Bashkuara Trump mund t'i ashpërsojë sanksionet ndaj Iranit: më 10 janar në Kongres do të diskutohet për certifikimin e të ashtuquajturës marrëveshje bërthamore me Iranin JCPOA. Në tetor Trumpi e kishte refuzuar certifikimin e kësaj marrëveshjeje. Kjo mund të sillte me vete rivendosjen e sanksioneve ndaj Iranit. Falë lobimit masiv të evropianëve Kongresi nuk e vendosi për rivendosjen e sanksioneve dhe marrëveshja mbeti e paprekur. Por këtë herë situata politike duket shumë më pak e favorshme për vazhdimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin.