1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta kundër romëve në Gjermani

Karin Jäger / Angelina Verbica28 Gusht 2013

Që nga hyrja në BE e Rumanisë dhe Bullgarisë gjithnjë e më shumë romë nevojtarë vijnë nga këto vende në Gjermani, sidomos në Duisburg. Banorët janë të nervozuar, qyteti e përballon me vështirësi situatën.

https://p.dw.com/p/19XuY
Fotografi: DW/K. Jäger

Kallinj misri të ngrenë, enë plastike dhe shishe gjenden para kompleksit të ndërtesave përreth lagjes Rheinhausen, në Duisburg. Bie erë urinë dhe papastërti. Një mi i madh kalon me shpejtësi. Midis mbeturinave dhe pellgjeve të ujit djemtë luajnë futboll. Gratë e moshuara me shami dhe vajzat shikojnë nga një distancë e sigurtë, nga ballkonet. Ato janë të mbushur plot me rroba, qilima, sende të grumbulluara, antena satelitore. Tela varen në to. Rrymën banorët e "shtëpisë problematike", siç quhen nga njerëzit përreth, e marrin nga shtyllat e tensionit para shtëpisë. Në mënyrë ilegale.

Në foto: Ralf Karling
Në foto: Ralf KarlingFotografi: DW/K. Jäger

"Mos ecni shumë afër murit të shtëpisë", porosit Rolf Karling, se mund të goditeni nga objekte fluturuese, si tasa kafeje, ose pelena. Njerëzit janë mësuar, që t'i hedhin mbeturinat nga dritarja". Karling vetë ka veshur një xhaketë të ushtrisë belge. "Njerëzit këtu kanë respekt për uniformat", e justifikon ai veshjen. Por sot edhe Karling e ka të vështirë të hyjë në oborrin e lënë pas dore. "Go, go", thërret një çunak dhe ngre gishtin e mesëm në ajër. Me dyshim shihet prej grupeve të burrave dhe djemve secili, që guxon të hyjë në ambientet e kompleksit të ndërtesës "In den Peschen 3-5". Ajo banohet kryesisht nga romët.

Të sulmuar nga të majtët radikalë

Atmosfera në zonën përreth “shtëpisë problematike” është e irrituar, që kur në një takim të romëve në Rheinhausen persona të maskuar sulmuan banorët me shkopinj gome dhe u hodhën atyre gaz lotsjellës. Rolf Karling nga shoqata "Qytetarët për qytetarët" donte të organizonte një takim për të ndërmjetësuar ndërmjet banorëve dhe romëve. Por asnjë nga banorët e rinj nuk erdhi. Nuk është krijuar asnjë kontakt, se asnjë nuk flet gjermanisht, thotë Karling duke u shfajësuar. Trazira nga skena e djathtë mund të prisnim, por jo të majtët nga skena autonome. Përmes facebook-ut grupi anti-fashist Antifa kishte bërë thirrje për sulme.

Duisburgu konsiderohet si një vend i të ardhurve nga Evropa Lindore, sepse që prej mbylljes së uzinës të çelikut Krupp shumë njerëz janë larguar dhe qiratë kanë rënë. Afro 7.000 deri 8.000 romë jetojnë atje, thekson Karling. Por as pronari nuk e di, se sa njerëz qëndrojnë në "shtëpinë problematike".

Ai ka biseduar me të lidhur me detyrën e tij për t'u kujdesur si pronar. "Janë instaluar dyer kundër zjarrit", sepse banorët u kërcënuan në internet, se do t'u vihej flaka." Shumë duisburgas kanë frikë se qyteti së shpejti mund të hyjë në rradhën e qyteteve si Solingen apo Rostock-Lichtenhagen, ku të huajt kanë humbur jetën nga zjarri i vënë nga ekstremistët e djathtë.

Ndërtesa problematike në rrugën "In den Peschen 3-5"
Ndërtesa problematike në rrugën "In den Peschen 3-5"Fotografi: DW/K. Jäger

Frikë nga titujt negativë

Në anën tjetër të shtëpisë janë duke u instaluar dyer të reja. "Romët duhet të kenë ndjenjën, se janë të sigurtë", thotë Rolf Karling. Qytetarët organizojnë madje roje natën për të mbrojtur romët. Dikur erdhën edhe pjesëtarët e skenës së majtë-autonome. Pati konflikte. Por vetëm pas sulmeve policia patrullon ditën. Natën punonjësit e policisë janë vazhdimisht të pranishëm. "Më parë është thënë gjithmonë. Nuk ka ndodhur asgjë, prandaj nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë", ankohet Hans-Wilhelm Halle.

Sidomos gruaja e tij nuk e duron më zhurmën, papastërtitë dhe mungesën e qetësisë. "Ata e përdorin kopshtin si WC dhe natën ka aq shumë minj", thotë Helga Halle me një buzëqeshje lodhur. Për muaj të tërë, ajo nuk ka dalë nga shtëpia më mbrëmjeve. Dëshpërimi i është shkruar në fytyrë. Familja Halle planifikon të largohet, edhe pse në atë shtëpi ata kishin ndërmend të kalonin pleqërinë.

Xhama të thyer, mbeturina dhe pparregullësi
Xhama të thyer, mbeturina dhe pparregullësiFotografi: DW/K. Jäger

Planet e qytetit dhe të qeverisë së landit

Qeveria e landit të Renanisë Veriore Vestfalisë ka shpallur një ligj për mbikqyrjen e banimit. Mbipopullimet masive duhet të shmangen përmes kontrollit të autoriteteve. Një tjetër zgjidhje e qytetit është që t'u ofrohen romëve banesa në zonat me pak migrantë, me qëllim që ato të integrohen më lehtë.

Elisabeth Pater, nga administrata e qytetit të Duisburgut, përgjegjëse për mbështetjen e fëmijëve nga familje migrantësh, e kupton situatën e romëve, ashtu si shumica e banorëve. Sjellja e tyre, thotë ajo, është e vetëkuptueshme. Pater ka përvojë në çështjet e integrimit. Një ndër tre duisburgas është migrant. Ajo thekson rëndësinë e arsimimit: "Njerëzit kanë jetuar në kushte të këqia. Ne duhet t'i ndihmojmë fëmijët dhe t'i bëjmë të aftë për jetën në shoqëri. "Ka nevojë edhe për fuqi punëtore pa kualifikim. Njerëzit duhet të mësojnë të qëndrojnë në këmbët e veta."

Por zërat kritikë dyshojnë në qëllimet e mira të migrantëve të "shtëpisë problematike". Ata thonë se romët duan të shfrytëzojnë legjislacionin social gjerman. "Në Gjermani paguhen shumë të holla për fëmijët, për dy fëmijët e parë nga 184 euro, por pas fëmijës së katërt prindërit marrin 215 euro", thotë Hans-Wilhelm Halle.

Në foto, Helga dhe Hans-Wilhelm Halle
Në foto, Helga dhe Hans-Wilhelm HalleFotografi: DW/K. Jäger

Frikë nga 1 janari 2014

Politika në Berlin duhet të zgjohet, thotë kryetari i bashkisë Sëren Link (PSD). Link arriti që të bindte kryetarin e PSD Sigmar Gabriel dhe kandidatin për kancelar Peer Steinbrück, që të vinin për të parë vendin dhe të krijonin vetë një përshtypje për të. Por më tepër se kaq nuk është bërë.


Një qytet tërë borxhe si Duisburgu duket se nuk e përballon dot situatën. Dhe së shpejti ajo mund të përkeqësohet. Ndërsa qytetarët e BE-së të ardhur nga Rumania dhe Bullgaria që nga viti 2007 mund të banojnë kudo në BE, në fillim të vitit të ardhshëm ata përfitojnë lejen e plotë të punës. Nga ana tjetër ata përfitojnë asistencën e plotë në rast papunësie. Duisburgasit si Rolf Karling, apo çifti Halle, mendojnë me shqetësim për atë datë, sepse atëherë edhe romë të tjerë nevojtarë mund të vijnë në qytet.